Igli Cara: Projekti politik i Olldashit

Sokol Olldashi kishte një projekt politik dhe ai projekt ishte rikonceptimi dhe rimodelimi i qëndrimit ndaj votës dhe politikës. Kështu tha sot në Kuvend miku I tij brenda radhëve të PD-së, njeriu që po e priste për darkë natën kur Olldashi humbi jetën në aksident, deputeti Igli Cara. Në fjalimin që Cara zgjodhi ta mbante nga foltorja e Kuvendit, ai tha se “miku ynë do i mungojë vendit anembanë, që e donin në çdo cep të Shqipërisë, do i mungojë PD-së, Basha e Berisha kanë humbur një bashkëpunëtor, më të mirin e 20 viteve, e djathta humbi një nga zërat më të mirë që e përfaqësonte. Do i mungojë Ruçit, Metës, Ramës për mendjen e mprehtë dhe debatin. Koli do u mungojë të gjithë atyre që duhet ti kërkonin ndjesë dhe të gjithë atyre që mendojnë se pragmatizmi është mënyrë jetese. Koli miku ynë do na mungojë shumë në këtë sallë, do na mungojë fjala e tij si gazetar, dhe aftësia si politikan. Sot dua të falënderoj të gjithë ata që e votuan për 4 mandate dhe që e besuan”.

Më pas Cara u ndal në atë që ka pasur më shumë kuriozitet këto kohë në media, se çfarë do të thoshte Olldashi në “Opinion” këtë të hënë, për shkak të kritikave që ai kishte shfaqur hapur ndaj linjës opozitare të partisë së tij. Cara I është referuar pikërisht fjalimit të fundit të Olldashit mbajtur në Kuvend.  “Dua të ndalem në atë që shumë kush ka folur e shkruar, se Sokoli kishte një projekt të vetin politik, dhe ishin të shumtë ata që e dinin se ai gjatë gjithë kohës ka pasur projekt politik. Në muajin korrik të këtij viti e tregoi, e bëri dhe pak ditë më parë duke i treguar gjithë politikës se ka ardhur koha për një qëndrim ndryshe ndaj votës dhe politikës, politika ka nevojë të konceptohet dhe të rimodelohet kjo që Patozi e quajti fenomen dhe unë do e quaj misionar.. Theksoj në fund, se e vërtetë, Olldashi e kishte projektin e tij, që ishte dhe mbetet PD e Shqipërisë”, tha deputeti Cara.

Lajme të ngjashme

Back to top button