Për sigurinë e fëmijëve, kërkohen kamera nëpër Çerdhe!

Prindërit nëpërmjet rrjeteve sociale propozojnë të vendosen kamera nëpër çerdhet e fëmijëve, pasi mendojnë se në këtë mënyrë fëmijët e tyre do të jenë më të sigurt.

Kjo ide vjen si rezultat i publikimit të disa informacioneve kohë më parë ku janë keqtrajtuar dhe malltretuar disa fëmijë nëpër çerdhe.

‘Unë si prind mendoj se duhet të ketë kamera nëpër çerdhe dhe shkolla që të jemi më të sigurt që fëmijët tanë janë në duar të sigurta dhe mësueset e kryejnë detyrën e tyre ashtu si duhet. Kam dy vajza në qëndrim ditor në shkollë, djalin në çerdhe dhe dua të di çfarë ndodh me ta gjatë ditës, pasi pjesën më të madhe të kohës e kalojnë aty’ tha Musa Ibrahimi, prind.

‘Vendosja e kamerave nëpër çerdhe do të ishte në favor të çdo prindi, pasi që çdo prind dëshiron të jetë i sigurt se në duar të kujt e ka lënë fëmijën. Kamera do të ishte një mundësi plus për të parë mënyrën se si edukatoret i trajtojnë fëmijët’ tha Sebahate Nuhiu.

Rabije Loku, drejtoresh në çerdhen ‘Fidani’ në Shkup, përshëndet një ide të  këtillë, por thotë se për momentin kushtet nuk lejojnë një gjë të këtillë.

‘Të gjitha objektet nuk posedojnë, vetëm objekti kryesor tek hyrja ka kamera, nëpër korridore nuk kemi, ajo është iniciativë e mirë por sidokudo financat nuk na mundësojnë se vetë e dinë edhe prindërit se sa janë pagues të çerdheve ku i dërgojnë fëmijët e tyre. Bëhet fjalë për një shumë të vogël, dhe lirisht mund të them se edhe qesharake në fakt fëmijës t’ia organizosh mëngjesin, drekën edhe shujtën me 1.490 denarë, dhe mos të jenë parapagues të rregullt e të kërkojnë kushte që me të vërtetë ia vlen ti ketë institucioni mirëpo ata janë mundësitë e tona’ tha Loku.

Në një Çerdhe të Shkupit kamerat janë vendosur qysh në vitin 2011 me iniciativën e drejtorisë dhe këshillit të prindërve.

‘Kamerat në Çerdhen ‘Izvorçe Montesori’ janë vendosur me qëllim rritjen e sigurisë. Përskaj hyrjeve, incizohen edhe territoret tjera në çerdhe. Edhe pse fëmijët edukohen vazhdimisht, gjithsesi menduam se është mirë të ketë kamera për shkak se mos dhashë Zoti të ndodh diçka e keqe, për çdo rast të mund të vërtetojmë si ka ndodhur rasti’ tha drejtoresha Bozhana Markovska.

Ndryshe, këtë vit disa herë janë paraqitur raste kur edukatoret kanë rrahur dhe malltretuar fëmijët nëpër çerdhe./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button