Duro premton punë maksimale

Një ditë pasi është emëruar ushtrues detyre trajner i parë i KF Shkëndija, Shpëtim Duro, ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me futbollistët ‘kuqezi’. I vetëdijshëm për situatën momentale të ekipit, Duro thekson se me kënaqësi ka pranuar të ulet në pankinën ‘kuqezi’ për këto ndeshje të mbetura. Ndihmës i Duros do të jetë Husein Kadriu, ndërsa trajner i portierëve mbetet Armend Elezi. U.D. trajneri i ri i Shkëndijës foli për kanalet e klubit dhe mediat e pranishme, duke premtuar punë maksimale për të nxjerë maksimumin e ekipit në këtë moment. 

PORTALB: Si e keni pritur angazhimin në skuadrën e Shkëndijës?
Shpëtim DURO: “Sigurisht se ishte e befasishme. Por ndoshta drejtuesit e klubit arritën deri te ky vendim për arsye të rezultatit të fundit të skuadrës së Shkëndijës. E kam pritur në mënyrë të befasishme por shumë me kënaqësi. Është një eksperiencë e re në raport me Shqipërinë. Dihet se në Shqipëri kam patur një karrierë të gjatë 15-të vjeçare me të skuadrat e nivelit të lartë shqiptar, por edhe të nivelit të ekipeve kombëtare të të gjitha moshave, deri në kombëtaren A. Kështu që drejtimi i Shkëndijës së Tetovës është një eksperiencë dhe një përvojë e veçnatë. Është një moment jo pozitiv, sidomos psikologjik pas elliminimit nga Kupa dhe humbjes së fundit. Është një skuadër që ka emër në Maqedoni. Ka në brendësi lojtarë me përvojë dhe eksperiencë, por sigurisht këta futbollistë duhet të kuptojnë, ta kenë të qartë se përfaqësojnë fanellën e Shkëndijës dhe duhet të respektojnë edhe impenjimin e drejtuesve të klubit në mënyrë maksimale”.

PORTALB: A keni njohuri për futbollin e Maqedonisë?
Shpëtim DURO: “Normalisht profesioni jonë, i një trajneri është që patjetër të ketë njohuri sidomos për vendin që ke afër. Kemi patjetër shumë njohuri për futbollin maqedonas, sidomos edhe për shumë futbollistë që janë pjesë e Shkëndijës sot, ka edhe disa futbollistë që kanë luajtur edhe në Shqipëri, por njëkohësisht ka edhe futbollistë tjerë që janë me përvojë. Kam marrë informacion sepse kam ndjekur edhe nëpërmjet videove ndeshjet e skuadrës së Shkëndijës, kështu që është një formacion i bollshëm, por është një situatë shumë e shpejtë, emergjente, shumë e vështirë, janë tre ndeshjet e fundit. Kam vendosur të mar drejtimin për këto tre ndeshje për të parë pastaj situatën në zhvillim. Sepse ka qenë edhe insistimi i drejtuesve të klubit që unë të vij në këto tre ndeshje pastaj të shikojmë si do të zhvillohen ngjarjet”.

PORTALB: Çka u premtoni tifozëve të Shkëndijës?
Shpëtim DURO: “Normalisht asnjëherë nuk ka gjëra absolute. Unë do të bëj maksimumin, shpresoj të kalojmë këtë moment sepse situata është shumë e shpejtë që të mendojmë sidomos për fazën e dytë dhe për të ardhmen n’qoftë se kalohet kjo situatë. Do bëj të pamundurën, por t’ia lëmë situatën ndeshjeve që do të zhvillohen”.   
Debutimi i Shpëtim Duros në pankinën e Shkëndijës do jetë të mërkurën në ndeshjen me Napredokun në Kërçovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button