ZHVESHJA NË KËSTE

Ndoshta nuk e dini se Bozofca, fshati më i largët dhe më i thellë në Malësinë e  Sharrit, ka mbetur bastioni i fundit ku vazhdon të organizohet festa e moçme, të cilën, më 2012, Profesor Fadil Sulejmani e pagëzoi Karnevalet ilire.

Festa si Karnevalet në fjalë, si Shën Gjergji a Dita e verës…, në të shkuarën janë organizuar pothuajse në të gjitha vendbanimet shqiptare. Viteve të fundit, ndërkaq, për shkak të ndryshimit të madh të mënyrës së jetesës, por edhe më shumë për shkak të propagandave të hapura të misionarëve të ndryshëm shqipfolës që trashin qafat me paratë tona, janë luftuar me sistem dhe janë shuar gati në tërësi, bashkë me shumë adete, zakone, tradita, bestytni…, që nuk i kanë bërë dhe nuk i bëjnë dëm askujt. Natyrisht, e gjithë kjo ka ndodhur  dhe po ndodh edhe falë konformizmit të inteligjencës sonë shurdh-memece, fanatizmit, injorancës, inferioritetit, hatrit të rremë, dijeve të gjymta dhe gjithçkaje tjetër që mund t’i falen njeriut të thjeshtë – atij që nuk ka pasur fatin të ndjekë udhën e dijes dhe të dritës së diturisë, po jo dhe njerëzve të shkolluar, që duhet të jenë të zëshëm sa herë që kriminalizohet trashëgimia dhe gjurmët tona në këto troje, sa herë që lakuriqësohemi nga tiparet e stërgjyshërve me pretekste të paqëndrueshme, sa herë na prezantojnë si alienë, të cilët vetëm pas zbarkimit në këto troje nga samarët e mushkave pushtuese, mësuan të ecin, të flasin dhe të aplaudojnë majmunërisht në amfiteatro garash kulturore, në të cilat për ne është rezervuar vetëm pozicioni i spektatorit inferior.

Them kështu, sepse kujtimi i mënyrës së të jetuarit të stërgjyshërve, festave të tyre, kujdesi për thesaret e trashëguara materiale e shpirtërore, respekti për personalitetet e shquara të historisë tragjike kombëtare…, janë shenja qytetërimi, kurse humbja e gjurmëve të asaj të shkuare është shpëlarje e mbamendjes kolektive dhe varfërim i shpirtit të etnisë, cënim i identitetit dhe heqje dorë prej tapive të vatanit.

Më duhet të përmend me këtë rast kuptimin e Rilindësve për festat tona të shndërruara sot në brend-e kurkushësh, me të cilin duhet të njihen, para së gjithash, ata që i shpallin të mëkatare evenimentet kulturore si puna e Karnevaleve ilire, pa ofruar asnjë argument të arsyeshëm për qëndrimet pa të ardhme, po tejet të dëmshme për kulturën tonë shpirtërore.

Ja çfarë shkruan për Ditën e verës, përpara 100 e ca vitesh njeriu më erudit që kanë pasur ndonjëherë shqiptarët, shampioni i pavarësisë shqiptare, princi i gjuhës shqipe, enciklopedia e gjallë e kulturës sonë Faik Konica: “Dita e Verës është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticellit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës”.

Kështu shprehej Volteri shqiptar, i bindur se nëpërmjet kremtimit të festave të moçme sa vetë njerëzimi, ne dëshmojmë prezencën e vazhdueshme në këto hapësira, u themi uzurpatorëve të trashëgimisë shpirtërore e materiale se nuk jemi as talebanë as paranjerëz karpatesh, se nuk kemi ndërmend të hjekim dorë nga thesaret e kulturës sonë të lashtë, aq më tepër kur ato, siç thoshte Konica, nuk cënojnë asnjë vlerë të çmuar të kohës sonë, nuk lëndojnë asgjë që lidhet me religjionin/ besimin dhe devotshmërinë e njerëzve.

Tek i lexon njeriu këto gjëra, i bëhet sikur Gjeniu ynë e ka parandier se në kohën tonë, do të rriteshin tendencat e tjetrit për t’na e shpëlarë trurin nga mbamendja historike, ndaj, për shtresën më të painformuar që mund të instrumentalizohet kollajshëm, iu referua edhe Profetit të Islamit, i cili thoshte: Ai që shërben kombin e vet është më i ndershëm…; Ai që ka fe e do mëmëdheun…

S’ka dyshim se me këto të dhëna Konica ua bënte me dije shqiptarëve se në asnjë libër të shenjtë, nuk shkruan se fetë janë kundër gjuhës, atdheut, patriotizmit, zhvillimit kulturor e shkencor, mbamendjes që lidhet me traditat, zakonet, adetet, festat e së shkuarës…

Ngjashëm si Konica flisnin edhe dy imamë të mençur Haviz Ali Korça dhe Imam Vehbi Ismaili, të cilët e kishin gjithashtu të qartë se armiqtë tanë i kanë keqpërdorur një dajm ndjenjat religjioze të shqiptarëve me mungesë dije e kulture, për t’na paraqitur para botës pa tradita etnie dhe të paaftë për të ndërtuar qytetërim. Ata e dinin se kombi ynë është një – pa dallim feje, krahine e dialekti; se vija e gjakut është vullneti suprem i Zotit; se propagandat e ca qenieve mikroskopike, që e kanë zët racën, gjuhën dhe kulturën të cilën Zoti e bëri kësmet për ne…, janë tejet  të dëmshme; se tendencat e zhveshjes në këste nga vlerat e lashtësisë na shndërrojnë në kurgjë, në turmë njerëzish pa pika reference e hajt bir. Prandaj sollën në veprat e tyre shembuj që flasin për kuptimet që kishte Profeti për kulturën, kombin, zakonet, traditat dhe gjuhën e vet arabe, që sigurisht na e kujton se të njëjtën dashuri duhet ta kemi edhe ne kundrejt trashëgiomisë sonë – gjuhës, historisë, kombit dhe heronjve tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button