‘Belle Air’ garanton: Po kontaktohen të gjithë pasagjerët për rimbursim

“Sigurojmë se do kontaktohen të gjithë pasagjerët për procedurat e rimbursimit për shpenzimin mbi biletat që kanë blerë”. Kështu siguroi sot kompania ajrore “Belle Air” me anë të një njoftimi për shtyp rreth situatës së krijuar pas shpalljes së pezullimit të fluturimeve për shkak të situatës ekonomike.

Kompania sqaron dhe pse është shkaktuar vonesa në kontaktin me pasagjerët e saj.
“Kompania Belle Air në ditën e parë të ndërprerjes së fluturimeve ju njofton se ka filluar mbrojtja e pasagjerëve rreth orës 15.00 të datës 25.11.2013, me ndihmën e ofruar nga kompania Blue Panorama Airlines.

Për shkak të fluksit të telefonatave në numrat Call Center, një pjesë e pasagjerëve nuk kanë pasur të mundur të marrin informacion mbi biletat e tyre apo të familjarëve të tyre.
Kompania Belle Air siguron se të gjithë pasagjerët e prekur nga kjo situatë do të kontaktohen për procedurat e rimbursimit ose të modifikimit të biletës me mbrojtje të ofruar nga kompania Blue Panorama Airlines. Çmimi i biletës mbrojtëse është 60 Eur/segment”.

Më tej kompania vë në dispozicion një numër kontakti për të gjithë të interesuarit.
“Për çdo informacion mund të kontaktoni në:
Info: +355 42 390 111, +39 06 989 56666
Rimbursime: +355 42 390 390”.

Kaosi dje në Aeroport

Pezullimi që prej së di elës i fluturimeve nga ana e kompanisë ajrore “Belle Air” ka shkaktuar dje kaos mes pasagjerëve në aeroportin e Rinasit. Qindra qytetarë që kishin prenotuar udhëtimet të dielën dhe të hënën me avionët e kësaj kompanie kanë protestuar, duke kërkuar t’u sigurohet mundësia e kthimit ose rimbursimi sa më i shpejtë i parave. Kompania ajrore anuloi rreth 15 fluturime, që duhej të kryheshin të hënën në drejtim të Italisë dhe Greqisë. Vetëm gjatë orëve të mbrëmjes u bë i mundur transporti i 168 pasagjerëve të parë drejt Bolonjës, përmes avionëve të kompanisë “Blu Panorama”, përkundrejt pagesës shtesë prej 60 eurosh. Një tjetër avion me 168 pasagjerë u nis në orën 19:00 drejt Milanos, ndërsa po gjatë mbrëmjes u organizua transporti i pasagjerëve të linjave të Bergamos dhe Venecias. Pjesa tjetër e qytetarëve që do të udhëtonin të hënën drejt destinacioneve të anuluara nga “Belle Air” do të bëhet i mundur sot. Autoritetet e aeroportit konfirmuan se kompania “Blu Panorama” do të mbulojë fluturimet e “Belle Air” përgjatë gjithë javës.

Pezullimi

Të dielën, kompania njoftoi se është e detyruar të pezullojë përkohësisht fluturimet e saj. Shkak për këtë masë, sipas kompanisë, është bërë situata ekonomike, si dhe bllokimi i llogarive të saj nga ana e autoriteteve. “Arsyet që na çuan në këtë pezullim janë, situata e përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, recesioni në tregjet kryesore ku operojmë, si edhe bllokimi prej mëse 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë ‘Belle Air'”, nënvizonte kompania në një deklaratë për shtyp. Ajo që indinjoi më shumë qytetarët kishte të bënte me faktin që, megjithëse kompania ajrore kishte depozituar të premten, në datën 22 nëntor 2013, kërkesën për falimentim, ajo vazhdonte të shiste bileta. Shumë qytetarë, pasagjerë në aeroportin “Nënë Tereza”, konfirmuan se kanë prerë bileta tek kjo kompani deri orët e vona të së dielës, pra dy ditë pasi kishte depozituar në gjykatë kërkesën për shpalljen e falimentit.

Lidhur me rimbursimin e parave, kompania njoftoi se të gjithë pasagjerët që kanë prerë bileta nëpërmjet kartës së kreditit, duhet të kontaktojnë me bankat që kanë lëshuar këto karta krediti dhe të paraqesin kërkesën së bashku me referencat e biletës. “Për të vazhduar procedura të tjera rimbursimesh, ju lutem kontaktoni në +355 42 390 390”, theksonte “Belle Air”.

Keqmenaxhimi

Drejtoria e Aviacionit Civil u mblodh për të sqaruar situatën pas pezullimit të fluturimeve, ndërkohë që ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, përmes një njoftimi për shtyp akuzoi kompaninë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence, duke hedhur poshtë pretendimin e kompanisë për bllokimin e llogarive. Përmes deklaratës, Haxhinasto theksoi se situata është krejt e ndryshme nga sa deklarohet nga kompania “Belle Air”. “Edhe tani që flasim, nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit. Ajo që ka ndodhur, në fakt është një situatë e krijuar nga keqmenaxhimi i kësaj kompanie, nga mungesa e theksuar e transparencës dhe mosplotësimi i vazhdueshëm i detyrimeve ndaj organeve shtetërore, ndonëse është në një situatë të privilegjuar në tregun e Aviacionit, duke kontrolluar mbi 50% të tij”, – tha Haxhinasto. / Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button