Marrëveshja me Iranin, çelës diplomatik

Akordi bërthamor me Iranin i hap derën një varg mundësive gjeopolitike që nuk i ka pasur asnjë udhëheqës i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që prej Jimmy Carterit.

Për presidentin Barack Obama, popullariteti dhe agjenda e mandatit të dytë e të cilit mund t’ia kenë parë sherrin ligjit të ri të përkujdesjes shëndetësore, marrëveshja preliminare bërthamore e arritur me Iranin të dielën përbën një ndryshim më se të mirëseardhur të temës.
Ajo gjithashtu përbën një moment vendimtar – një moment që e vë politikën e jashtme në qendër në një Shtëpi të Bardhë të preokupuar me telashe të brendshme, dhe që i ofron Obamas rastin për ta përcaktuar një drejtim të ri amerikan në Lindjen e Mesme për herë të parë pas tre dekadash.

Shumëçka, natyrisht, do të varet nga ajo nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë e tjera do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare me Iranin për të frenuar ambiciet e tij bërthamore. Por, vetë fakti se pas një ftohjeje 34-vjeçare Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nënshkruar një marrëveshje diplomatike – pavarësisht se ajo është taktike dhe e përkohshme – i hap derën një varg mundësive gjeopolitike që nuk i ka pasur asnjë udhëheqës amerikan që prej Jimmy Carterit.

“Pavarësisht se çfarë mendoni për të, kjo është një marrëveshje historike”, ka thënë Vali R. Nasr, dekan i Shkollës Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare. “Ajo përbën një lëvizje të madhe sizmike në rajon. Ajo i ndryshon pozicionet në tavolinën e shahut”, ka shtuar ai.

Bisedime sekrete para akordit

Sipas Nasr, një hapje më e madhe diplomatike mund t’i ndryshojë kalkulimet e tjera amerikane në rajon – nga Siria, ku lëvizja “Hezbollah”, e mbështetur nga Irani, po lufton përkrah qeverisë së Bashar al-Assadit, deri në Afganistan, ku iranianët mund të ndihmojnë si ndërmjetësues për një marrëveshje të pasluftës me talebanët. Mundësia e një ndryshimi të tillë afatgjatë strategjik është bash ajo që i ka alarmuar aleatët amerikanë si Arabinë Saudite dhe Izraelin, udhëheqësi i të cilit e ka sharë marrëveshjen me Iranin si “gabim historik”, ka shkruar “The New York Times”.

Ndërkohë, “The Guardian” ka raportuar se marrëveshja është mundësuar nga disa takime të paprecedente dhe të fshehta të muajve të fundit ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë.

Takimet janë zhvilluar paralelisht me negociatat zyrtare bashkë me pesë fuqitë e tjera të botës, dhe kanë ndihmuar që t’i hapet rruga nënshkrimit të një marrëveshje të përkohshme, në të cilën iranianët kanë pranuar kufizime të rrepta ndaj programit të tyre bërthamor për herë të parë pas një dekade, në shkëmbim të zbutjes së pjesshme të sanksioneve ekonomike të perëndimorëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button