Pellegrini kërkon Casillas te City

Manchester City mendon seriozisht për Iker Casillas për sezonin e ardhshëm. Klubi anglez është në kërkim të një gardiani dhe mendon se Casillas do të ishte një zgjedhje cilësore, pas problemeve që ka me portën këtë sezon.

Joe Hart, titullar edhe në kombëtaren angleze, nuk e ka kënaqur teknikun Pellegrini, i cili publikisht ka deklaruar se portieri i Citizens duhet të përmirësohet.

Deri tani ka luajtur në 9 ndeshje në kampionatin anglez dhe 3 në Champions League dhe në total nga këto 12 takime ka pësuar 15 gola. Në ndeshjen e Capital One më 30 Tetor kundër Newcastle, Pellegrini mori vendimin për ta zëvendësuar Hart dhe që atëherë porta i është besuar rumunit Pantilimon, i cili në 6 ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm 3 gola, transmeton supersport.

Para kësaj situate, Pellegrini u ka kërkuar drejtuesve të klubit një portier për sezonin e ardhshëm dhe madje ka dhënë edhe emra konkretë, ku i preferuari i tij është gardiani i Realit të Madridit, Iker Casillas, që për momentin më shumë qëndron në stol me Diego Lopez që preferohet më shumë nga Ancelotti.

Casillas nuk është një i panjohur për Pellegrinin, ka drejtuar madrilenët për një sezon në 2009-2010 dhe mendon se ai do të ishte i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ekipin e tij. Edhe për portierin spanjoll, ndryshimi i ambientit është diçka e paralajmëruar nga ai vetë, nëse situata te Los Blancos do të mbetet e njëjta.

Premier League i ka pëlqyer gjithmonë Casillas, për të cilin Manchester United tentoi në 2005-ën, kur rinovimi me Realin dukej shumë larg, por në fund u konkretizua zgjatja e kontratës deri në 2017. Tani nuk është United, por City që e kërkon, një destinacion joshës, duke marrë parasysh që atje ndodhen edhe Negredo, Navas, Javi Garcia dhe David Silva.

Lajme të ngjashme

Back to top button