Vetëvendosje: Pavarësia e Kosovës t`i dëshmohet Serbisë, jo Shqipërisë

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti arrestimin e anëtarit të Vetëvendosjes Boiken Abazi e ka quajtur kidnapim.

Sipas Kurtit, dëbimi i Abazit është “krim i këtij regjimi të korruptuar ndaj Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar”.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës nga ky supbjekt politik, Aida Dërguti.

“Për këtë kidnapim dhe dëbim ne e mbajmë përgjegjës Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, dhe ministrin e tij të brendshëm, Skënder Hyseni dhe Drejtorin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Valon Krasniqi, nga profili i të cilit në Facebook duket qartë se është militant i PDK-së. Këto janë taktika të shtetit policor kundër opozitës tonë demokratike, këto janë metoda fashiste kundër lëvizjes sonë social-demokrate, këto janë tendenca anti-shqiptare kundër frymës sonë kombëtare”, ka thënë Kurti,

Nga ana e saj, Aida Dërguti, ka thënë se  bashkë me Boiken Abazin, më 3 shkurt janë kthyer nga Tirana në Prishtinë, pas homazheve për nderë të akademikut Kristo Frashëri.

“Në orët e pasdites jemi kthyer në Prishtinë, përmes pikës kufitare të Morinës, me ç’rast kemi paraqitur dokumente tek zyrtarët e policisë dhe gjithçka ka qenë në rregull. Pse Policia e Kosovës nuk e ka regjistruar Boikenin kur është kthyer në Kosovë nga Tirana, ky nuk është faji i Boikenit por i policisë”, ka thënë Dërguti.

“Në arsyetimin e policisë thuhet se prania e Boikenit ‘paraqet kërcënim për rendin dhe sigurinë shtetërore të Republikës së Kosovës’. Si bëhet që kjo nuk thuhet për Vuçiqin, Dinkiqin, Daçiqin e Gjuriqin por thuhet për Boiken Abazin?! Për më tepër, Boikeni nuk është kontaktuar kurrë as me shkrim, as me gojë e as me telefon nga policia për t’u paraqitur në polici për shkeljet e aluduara. Pra, nuk ka patur as fletëthirrje më herët edhe pse aktiviteti i Boikenit është publik dhe ai nuk është fshehur asnjëherë”, ka shtuar ajo.

“Boikenit i është mohuar e drejta për avokat, në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Boikenit i është mohuar e drejta për të njoftuar Ambasadën e Republikës së Shqipërisë edhe pse këtë gjë e ka kërkuar nga Policia”, ka potencuar Dërguti, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button