Përpjekja për rilindjen e qyteteve të vogla në Shqipëri ngjall debate

Qeveria shqiptare po shpenzon miliona euro për përmirësimin e infrastrukturës së qyteteve të vogla të lëna pas dore, por disa vënë në pyetje prioritetet.

Për shekuj, kalaja mesjetare në Tepelenë ishte një bastion i sunduesve lokalë në jug të Shqipërisë, duke ofruar pamje të shkëlqyer mbi lumin Vjosë dhe malin e Golikut.

Në këto dy dekadat e fundit, megjithatë, shumë banorë janë larguar në Tepelena dhe nga qytete të tjera në rajonet e Shqipërisë dhe janë zhvendosur në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha në kërkim të vendeve të punës dhe mundësive të jetës.

Qendrat e vjetra historike si dhe qytetet industriale dhe minerare e kanë humbur shkëlqimin dhe infrastruktura e tyre është lënë pas dore.

Tani Tepelena dhe disa qytete e fshatra të tjera po rigjallërohen dhe infrastruktura e tyre po rindërtohet si pjesë e programit të “Rilindjes Urbane”, drejtuar nga qeveria e qendrës së majtë udhëhequr nga Edi Rama.

“Ne duam të përçojmë mesazhin se ata [qytetarët] mund të jetojnë po aq mirë në zona të vogla urbane”,- transmeton MAPO deklaratën për BIRN të Alfred Dalipit, zv.ministër për zhvillimin urban dhe kreu i sekretariatit të përzgjedhjes së projekteve të infrastrukturës bashkiake.

“Duke rindërtuar infrastrukturën në qytete të vogla ne mund t’i japim bizneseve vendore një shans zhvillimi dhe njerëzit nuk do të ketë arsye për të braktisur qytetet e vendlindjes”,- shtoi ai.

Programi filloi dy vite më parë dhe qeveria ka ofruar dhjetëra miliona euro për këtë qëllim përmes Fondit për Zhvillim Rajonal.

Tepelena ishte një nga qytetet e para të vogla që përfitoi. Rivitalizimi i saj filloi dy vite më parë dhe qyteti tani ka një shesh kryesor të rikonstruktuar dhe një park të vogël, ndërsa ndërtesat përreth kanë fasada të reja dhe rrugët ndriçim të ri.

Ndërkohë, qytete të tjera më të vogla me 5,000 deri në 10,000 banorë kanë marrë gjithashtu para për të rinovuar sheshet, bulevardet dhe rrugët e tyre. Rrugët në zonat urbane po financohen nga një pjesë tjetër e Fondit për Zhvillimin Rajonal.

Të 61 bashkitë mund të aplikojnë për projekte infrastrukture disa herë gjatë një viti. Aplikimet vlerësohen dhe përzgjidhen nga Komiteti për Zhvillimin Rajonal, që drejtohet nga kryeministri dhe përfshin të gjithë anëtarët e qeverisë dhe katër anëtar të shoqatave të qeverisë vendore.

Qeveria ofroi 88 milionë euro në vitin 2014 dhe 87 milionë euro në 2015 për zhvillimin rajonal dhe thuajse gjysma e kësaj sasie u përdor gjithashtu për rilindjen urbane të qyteteve të vogla. Pas raundit të parë të aplikimeve në vitin 2016, qeveria ka ofruar 28 milionë euro për zhvillimin rajonal.

Rilindje Urbane apo thjesht dekorim:

Në zgjedhjet e fundit vendore në qershor 2015, kandidatët e koalicionit qeverisës morën kontrollin e 45 nga 61 bashkive, 15 bashki qeverisen nga partitë opozitare dhe një nga një partie e minoritetit grek.

Lidhja Shqiptare e Bashkive, që prezanton 15 bashkitë e drejtuara nga kryebashkiakë opozitarë, vë në pyetje dispozitat kyçe të programit të rilindjes.

Agron Haxhimali, drejtor i Lidhjes, tha se programi i Rilindjes Urbane ishte një shembull i prioriteteve të gabuara.

Ai e akuzoi qeverinë se ka humbur dhjetëra milionë euro në fasada dhe dekorime ndërsa ka dështuar t’i ofrojë qytetarëve atë për të cilën kanë më tepër nevojë – rrugë më të mira dhe lidhje hekurudhore mes fshatrave, kryeqytetit dhe qendrave të tjera të mëdha, që do t’i sillnin mundësitë e punësimit në pjesë të tjera të Shqipërisë në vend të qyteteve të mëdha.

“Miliona euro po shpenzohen për dekorim të qendrave të vogla të qyteteve, që nuk mund të rigjallërojnë bizneset apo të sjellin ndonjë të re te komunitetet që jetojnë atje”,- tha ai.

“Ajo që bashkitë kanë nevojë është integrimi i zonave rurale me ato urbane. Qeveria nuk duhet të harrojë se 55 për qind e shqiptarëve jetojnë në zona rurale”,- tha për BIRN Haxhimali.

Lidhja gjithashtu e akuzon qeverinë se ka qenë disi politike në procesin e përzgjedhjes dhe në mbështetjen e bashkive që qeverisen nga Partia Socialiste krahasuar me ato të opozitës.

“Shpërndarja e fondeve nuk është e drejtë dhe diskriminon bashkitë e opozitës”,- tha në një deklaratë javën e shkuar Lidhja.

“Ne duam që kryeministri të rishqyrtojë projektet bashkiake sipas kritereve teknike, jo atyre politike”,- shtoi Lidhja.

Lidhja iu referua fondeve të fundit, të dhëna më herët këtë muaj, ku vetëm tre nga 45 projektet infrastrukturore të miratuara ishin të bashkive opozitare.

Alfred Dalipi, mohon të ketë pasur paragjykim politik në shpërndarjen e fondeve.

“Ne i japim shtetasve shqiptarë të njëjtat mundësi pavarësisht se ku jetojnë apo për kë votojnë”,- tha ai për BIRN.

“Mund t’ju siguroj se kur programi të ketë përfunduar nuk do të ketë asnjë qendër urbane që nuk ka marrë fondet për përmirësimin e infrastrukturës”,- shtoi ai.

Përveç kryebashkiakëve opozitarë, arkitektët dhe ekspertët urbanë bëjnë thirrje për kujdes më të madh dhe transparencë mbi zbatimin e projekteve.

Ledian Bregasi, kreu i Unionit të Arkitektëve dhe Planifikuesve Urbanë Shqiptarë i tha BIRN se organizata i tij nuk është dakord me mënyrën se si bashkitë i përzgjedhin arkitektët për të përgatitur planet arkitekturore dhe urbane.

Në vend që t’ia japin projektet studiove përmes procedurave rutinë të prokurimit, ata duhet ta bëjnë përmes konkurrimeve të hapura që të inkurajojnë debat publik rreth çdo qyteti të rikonstruktuar, tha ai.

“Po humbet mundësia të organizohen konkurrime arkitekturore për secilin projekt dhe për të hapur një diskutim të gjerë për to,” tha ai. “Projekte të tilla transformuese duhet të përmirësojnë ndjesinë, përfshirjen dhe jetën kulturore të qyteteve”,- shtoi ai.

Bregasi thotë se shumë projekte kanë rënë në duart e pak arkitektëve dhe studiove të mëdha pa i dhënë një mundësi të voglave të konkurrojnë me ide të mira.

“Ky është gjithashtu një shans i humbur për disa studio të vogla dhe të mesme arkitekturore vendase që mund të kishin shtuar kapacitetet dhe nivelet ndërsa punonin për këto projekte”,- përfundoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button