FSK e gatshme për t’u transformuar në Forcë të Armatosur

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë (FSK), presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot u prit nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahaman Rama dhe ministri i FSK-së, Haki Demolli.

Ajo zhvilloi vizitë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë (MFSK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në prag të përfundimit të mandatit të saj si presidente e vendit, njofton Koha.net

Nikoqiri, gjenerallejtënant Rrahman Rama në takimin me presidenten Jahjaga e ku ishin të pranishëm edhe ministri Haki Demolli dhe gjeneralët Zymer Halimi dhe Gëzim Hazrolli, fillimisht e ka falënderuar presidenten Jahjaga për bashkëpunimin, koordinimin dhe angazhimin e Presidentes për FSK-në, gjatë mandatit të saj si Komandante supreme.

Me këtë rast, gjeneral Rama e ka njoftuar Presidenten në përgjithësi mbi zhvillimin, profesionalizimin, bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtarë, operacionet dhe aktivitetet, trajnimet dhe shkollimet si dhe mbi procesin e përgatitjeve që FSK-ja është duke i zhvilluar në mënyrë që vendimi i institucioneve më të larta të vendit për transformim të FSK-së në Forca të Armatosura, apo ndryshimi i misionit të saj ta gjejë institucionin të përgatitur për një transformim profesional.

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga e ka përgëzuar gjeneral Ramën si dhe ministrin Demolli për komandimin dhe menaxhimin me sukses të FSK-së dhe Ministrisë. E para e vendit tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni i cili ka arritur që edhe në nivel të rajonit dhe më gjerë të prezantojë shumë suksesshëm si Kosovën ashtu dhe Forcën e saj.

Komandantja e përgjithshme, gjatë takimit në ministri, tha se Republika e Kosovës është duke ndërtuar një Forcë gjithëpërfshirëse duke përsëritur se synimin ynë është që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s.

Në fund Presidentja e vendit, zonja Jahjaga falënderoi gjeneral Ramën, dhe nëpërmjet tij të gjithë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për shërbimin ndaj vendit duke thënë se FSK-ja është krenaria e Kosovës, institucioni më i besueshëm në vend për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pas takimit, presidentja Jahjaga në një koktej rasti takoi dhe bisedoi personalisht me shumë prej kadetëve, ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të FSK-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button