Ekspertiza autoteknike: Ja 3 shkaqet e aksidentit të Olldashit

Prokuroria e Përgjithshme deklaron se ka përfunduar ekspertizën autoteknike të automjetit me të cilin është aksidentuar deputeti, Sokol Olldashi. 

Ekspertiza autoteknike e kryer mbi automjetin, ka nxjerrë si konkluzion përfundimtar se shkak i daljes së mjetit nga rruga ka qenë pakujdesia e drejtuesit të makinës. Gjithashtu, për ekspertët, rrethanë tjetër që ka ndikuar në aksident ka qenë edhe mungesa e barrierave anësore në rrugën ku ka ndodhur ngjarja.

Raporti përfundimtar, i hartuar nga një grup ekspertësh të kërkuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstaton se shkaqet kryesore që kanë sjellë aksidentin janë: 

1. Shpejtësia e automjetit (neni 139 i Kodit Rrugor)

Në momentin e aksidentit, drejtuesi i mjetit po udhëtonte me shpejtësi 45 km/h. Sipas ekspertizës, në bazë të nenin 139 të Kodit Rrugor, më specifikisht, në paragrafim 3 të tij, thuhet se: “Veçanërisht, drejtuesi i mjetit duhet të rregullojë shpejtësinë në pjesët e rrugës me fushëpamje të kufizuar, në kthesa…..në pjerrësi të forta, ….. në orët e natës, në rastet e fushëpamjes së pamjaftueshme për shkak të kushteve atmosferike ……”. Në kushte atmosferike të rënduara, siç ka qenë në momentin e aksidentit dhe në një kthesë të fortë, siç është konstatuar nga kqyrja e vendit të ngjarjes, automjeti duhet të lëvizte me shpejtësi më pak se 20 km/h

2. Mosrespektimi i sinjalistikës rrugore (neni 144 i Kodit Rrugor)

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, është konstatuar se ekziston sinjalistika vertikale, e cila tregon drejtimin e kthesës në të majtë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mungon sinjalistika horizontale.

3. Përdorimi i rripit të sigurimit (neni 170 i Kodit Rrugor)

Nga kqyrja në vendngjarje dhe nga ekspertiza, ka rezultuar se drejtuesi i mjetit nuk ka pasur të vendosur rripin e sigurimit.
Nga ana tjetër, raporti i ekspertëve autoteknikë ka nxjerrë edhe një përfundim tjetër, mbi gjendjen e pareteve anësorë të rrugës. Sipas materialit zyrtar, dorëzuar ditën e sotme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, konstatohet se: “Nga enti pronar i rrugës nuk janë vendosur barrierat e sigurisë në pikat kritike, të cilat rrisin sigurinë e përdoruesve të rrugës në qarkullim”. Lidhur me këtë çështje, grupi i ekspertëve prezanton edhe një këndvështrim teorik, sipas të cilës: “Një barrierë garanton të gjitha performancat – që janë mbajtja e mjeteve të rënda, zbutja e efektit të përplasjes për personat, mjetet e lehta dhe ridrejtim të kontrolluar të mjetit pas-përplasjes – duhet gjithashtu të sigurojë një veprim efikas kundërshtues për përmbysjen e mundshme të mjeteve që kanë bariqendrën e lartë (situatë që mund të jetë po aq e rrezikshme aq sa edhe mungesa e mbajtëseve), dhe mundësisht duhet të karakterizohet për të pasur hapësira të limituara pune ( gjerësi operative, deformim edhe devijim)”.
Lidhur me rastin konkret, ekspertët autoteknikë shprehin mendimin se “…konstatojmë edhe shkeljen e kërkesave të nenit 14 të Kodit Rrugor nga enti pronar i rrugës”. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon të kryejë të gjitha veprimet e duhura hetimore për të përcaktuar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.

Lajme të ngjashme

Back to top button