USAID dhe LCIF përmirësojnë kushtet arsimore për fëmijët me pengesa në shikim

Sot, Projekti për fëmijët me pengesa në shikim i USAID dhe Fondacionit ndërkombëtar të klubeve Lions (LCIF), i implemetuar nga Universiteti i Evropës Juglindore shënoi hapjen e qendrës së re burimore për shikim në Shtip.

Krahas kësaj qendre në Shtip, projekti ka krijuar qendra të këtilla burimore në Shkup, Tetovë, Manastir dhe Veles. Këto qendra do të mundësojnë kushte më të mira, burime dhe përkrahje direkte për fëmijët me pengesa në shikim me qëllim të përmirësimit të leximit dhe mundësive arsimuese. Të gjitha qendrat burimore janë plotësisht të pajisura me teknologjinë më të avancuar që është e nevojshme për procesin arsimor të fëmijëve me pengesa në shikim, siç janë tabelat interaktive, makinat Braille, shtypësit termik, kompjuterë me softuer për konvertim në Braille, shëtitore taktile, si dhe materiale tjera didaktike.

 

Një nga resurset më të rëndësishme që kanë këto qendra janë edukatorët special, të cilët do të ofrojnë orë mësimore nga 10 në javë për fëmijët, duke përdorur qasje individuale dhe të bazuar në nevojat e nxënësit. Kjo është posaçërisht e rëndësishme për fëmijët që kanë pengesa të kombinuara. Edhe pse momentalisht çdo qendër burimore operon me grupe nga 5-10 nxënës, stafi i projektit pret që numrat të rriten me njohjen e popullatës më të gjerë me qendrat dhe shërbimet që ofrohen aty.

 

“Arsimi është themel i zhvillimit njerëzor dhe është fort i lidhur me rritjen e përgjithshme të ekonomisë, mirëqenien shëndetësore dhe qeverisjen demokratike. Sigurimi i qasjes së barabartë në arsim për personat me nevoja të veçanta është njëri prej qëllimeve globale të USAID”, tha Christina Putney, përfaqësuese e USAID. Ajo shtoi “është qenësore që të gjithë fëmijët me pengesa në shikim t’i vizitojnë këto qendra burimore në mënyrë që të përmirësojnë mundësitë e tyre të shkollimit me përkrahje direkte të edukatorëve specialë”.

Projekti ka përgatitur dhe shtypur rreth dyzet tekste shkollore në Braille dhe shpreson që të shtypë të gjithë tekstet shkollore për arsim fillor nga klasa 1-9 në Braille për gjuhët maqedonase, shqipe dhe turke.

Një ekip prej 15 oftalmologëve njëherësh realizon skriningje pa pagesë për fëmijët e moshës parashkollore (3-6 vjeç) nëpër çerdhe në Shkup, Shtip, Ohër, Veles dhe Tetovë. Me përdorimin e pajisjeve speciale mobile mjekësore këto skriningje mund të bëhen në vende rurale dhe të vogla në Maqedoni. Të gjithë të dhënat regjistrohen në sistem elektronik që u zhvillua nga UEJL, ku oftalmologët, institucionet shëndetësore dhe spitalet do të kenë qasje dhe do të mund të gjenerojnë raporte statistikore, etj. Klubet Lions nga qytete të ndryshme po ndihmojnë në këto kampanja skriningjesh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button