30 ditë paraburgim për Dugollin

Kosovarët ende po vazhdojnë të arrestohen me urdhra të Serbisë. Rasti i fundit është arrestimi i drejtorit të Zyrës së Protokollit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Gafurr Dugollit.

Ai u arrestua nga autoritetet maqedonase me urdhër të INTERPOL-it sipas kërkesës së Policisë së Serbisë me akuzë se është i kërkuar për krime lufte, gjatë kohës kur Dugolli ka qenë pjesëtarë i UÇK-së.

Sipas MFSK-së, ky nuk është rasti i parë kur ish-ushtarët e UÇK-së me akuza të fabrikuara dhe me kërkesë të Policisë së Serbisë ndalohen qytetarët e Kosovës, ish-luftëtarë të UÇK-së nëpër kufijtë dhe aeroportet e shteteve të ndryshme.

Ibrahim Shala, zëdhënës në MFSK, nuk ka komentuar për “Zërin” rastin në fjalë vetëm se ka thënë që bashkëpunimi po vazhdon.

“Bisedimet dhe bashkëpunimet me Qeverinë e Maqedonisë për lirimin e zotëri Dugollit janë duke vazhduar”, ka deklaruar Shala për “Zërin”.

Mirëpo, Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë asnjë përgjigje për arrestimet e tilla. Gjatë ditës së djeshme gazeta “Zëri” ka adresuar pyetje në adresë të Zyrës për Komunikim me Publikun, mirëpo asnjë përgjigje nuk ka marrë nga kjo Ministri.

Prokuroria publike ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, Gafurr Dugollit. Lajmin e ka konfirmuar vëllai i tij, Bujar Dugolli.

“Ia kanë caktuar 30 ditë dhe kjo është një padrejtësi. Është për keqardhje që shteti maqedonas merr parasysh ligje e fletëarreste të Serbisë për banorët e Kosovës”, ka thënë Dugolli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button