Zbulohet një varr masiv në Pogradec

Nuk dihet ende sa është numri i trupave të varrosur pranë vendit të quajtur Lumi i Tërhanit në Pogradec. Dikur aty ka qenë një poligon qitjeje, që duket se është përdorur edhe për të varrosur viktimat e diktaturës. Zbulimi është bërë nga Sektori i Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit, pranë Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, kreu i Institutit të të Përndjekurve, Bilal Kola thotë se zbulimi i këtij vendi i hap rrugën marrjes së të dhënave nga ana e familjarëve që ende nuk kanë gjetur njerëzit e tyre e që më pas do të shërbejnë për marrjen e mostrave të gjakut. Kjo pasi, procedura që do të përdoret për zbulimin e identitetit është ADN-ja.

“Ende nuk mund të themi se sa është numri i saktë i personave që ndodhen në vendin e zbuluar në Pogradec. Ajo që mund të them është se ato do të shkojnë pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore për t’u ruajtur. Ndërkaq, kemi angazhuar njerëzit për marrjen e mostrave, që do ndihmojnë në kryerjen e procesit të ADN-së. Ne kemi ngritur infrastrukturën e nevojshme, dhe të gjithë ata që kanë persona të zhdukur në Pogradec, mund të vijnë të paraqiten pranë Institutit, që të depozitojnë kërkesat e tyre pranë Sektorit të Gjetjes së të Zhdukurve nga Krimet e Komunizmit pranë Institutit”, – u shpreh Kola. Po ashtu, sipas tij, dorëzimi i kërkesave për të gjetur eshtrat e të afërmve të tyre të pushkatuar dhe të zhdukur nga regjimi komunist mund të bëhet jo vetëm për rastin e Pogradecit, por edhe për raste të tjera nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Gjatë periudhës së komunizmit numërohen rreth 6.000 të zhdukur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button