Mbi drejtësinë, lirinë, skllavërinë dhe Gjykatën Kushtetuese…

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme do të vendosë për kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje të sjellë në vitin 2009. Gjykata do të vendosë pas dyerve të mbyllura, larg syve të publikut dhe e izoluar nga zërat e protestuesve të zëshëm poshtë ndërtesës së gjykatës. Thonë që drejtësia duhet ti ketë sytë dhe veshët e lidhura, të vendosë ashtu si që është e drejtë për të gjithë, të mos ndikohet nga asnjë presion dhe nga askush. Për të vendosur në këtë mënyrë, drejtësia duhet të veprojë në bazë të vetëm një principi: lirisë. Skllavi i veshur në petkun e Justicia-s nuk mund të sjellë një vendim të drejtë, vetëm njeriu i lirë mund të sjellë vendime të drejta, sepse ashtu si që ka thënë Gandi, liria dhe skllavëria janë gjendje mentale, pra askush nuk mund ta çlirojë dikë nga skllavëria nëse ajo buron nga brendia e tij.

I gjithë sistemi i të drejtës penale bashkëkohore fillon dhe mbaron me një parim dhe ai është parimi i ligjshmërisë. Askush nuk mund të gjykohet dhe të dënohet jashtë ligjit por njëherit, askush nuk guxon ta anashkalojë ligjin. Ashtu siç thekson themeluesi i konceptit të të drejtës penale moderne, Cesare Beccaria dhe shkolla klasike për të drejtën penale (e krijuar në kulmin e barokut evropian), ligji penal duhet të vlejë për të gjithë, nga kasollja deri tek pallati mbretëror, nga bujku i thjeshtë deri tek udhëheqësi i shtetit. Askush nuk guxon ta anashkalojë ligjin dhe secili duhet të dënohet për veprat penale që ka bërë. Jo-rastësisht, shkolla klasike ka qenë kategorike sa i përket konceptit të amnistisë dhe faljes. Beccaria dhe të tjerë kanë konstatuar që këto institute janë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë dhe si të tilla nuk kanë vend në një sistem ideal të të drejtës penale. Duke u nisur nga këto postulate, Kodi Penal Francez i sjellë në vitin 1791, i ndikuar thellësisht nga shkolla klasike dhe nga idetë e Revolucionit Borgjez Francez, nuk parashihte amnisti dhe falje. Këto dy institucione u rivendosën në Kodin Penal të vitit 1810 nën ndikimin e Napoleon Bonapartës i cili u shpall perandor. Normalisht, çfarë perandori mund të jetë njeriu po nuk pati të drejtën të falë kriminelët me mëshirën e tij të pafund?! Fundja, a nuk është perandori përfytyrim i perëndisë në tokë? Kështu mendohej në kohën e monarkive absolute. Fatkeqësisht, kështu mendojnë shumë udhëheqës shteti sot e kësaj dite.

Me gjithë kritikat e vazhdueshme sa i përket kundërthënieve lidhur me parimin e ligjshmërisë, institucioni i faljes dhe ai i amnistisë vazhduan të mbijetojnë nëpër shekuj. Arsyeja kryesore për këtë është se sistemi i drejtësisë penale është larg idealizmit dhe falja dhe amnistia mund edhe të gjejnë arsyetime të caktuara në kohë të caktuar. Ajo që është e përbashkët për të gjithë studiuesit e kësaj lëmie është se këto institucione duhet të përdoren në mënyrë restriktive, vetëm në raste kur arsyeshmëria e një veprimi të tillë është më e madhe se sa vetë vepra e kryer. Ajo që duhet kuptuar që në fillim është se falja nuk është një e drejtë civile ose politike e njeriut. Ajo shikohet vetëm si një akti i mëshirës së arsyetuar me bazë të forte juridike të udhëheqësit të shtetit. Gjëja e dytë që duhet të qartësohet është se në vende të ndryshme e drejta e Presidentit për të dhënë falje rregullohet në mënyra të ndryshme. Disa vende, si Maqedonia dhe vendet e rajonit, këtë të drejtë të Presidentit e rregullojnë me ligj. Disa vende të tjera, si p.sh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës të drejtën e Presidentit për të dhënë falje nuk e kufizojnë me ligj por e lënë tërësisht në kompetencën e tij. Presidenti Amerikan ka të drejtë absolute dhe ekskluzive për të falur. Ai, madje ka të drejtë të falë çdo vit nga një gjel deti me rastin e festës e Falënderimit. Habitem si nuk është kujtuar avokati që ngriti iniciativën për kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për falje të kërkojë edhe një mundësi të tillë për Presidentin tone: kur kërkoi që Presidenti të mund të falë kryerësit e veprave penale kundër zgjedhjeve, pedofilët, prodhuesit dhe trafikuesit e drogës dhe kryerësit e gjenocidit dhe krimeve tjera ndërkombëtare, përse të mos ketë të drejtë të falë dhe një gjel deti?!

Ta shikojmë pak iniciativën lidhur me kushtetutshmërinë e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për falje për të cilën Gjykata Kushtetuese, si mbrojtëse e kushtetutshmërisë së të gjitha ligjeve dhe akteve tjera juridike, si mbrojtëse e vlerave bazë të demokracisë në këtë vend, e pa të arsyeshme që në mënyrë shumë ekspeditive, për më pak se dy muaj, ta procesojë dhe të sjellë një vendim inicial që kjo iniciativë është e bazuar dhe lidhur me të duhet të sillet një vendim përfundimtar. Nga kjo mënyrë e veprimit fitohet përshtypja se deri më tani kjo është “shkelja” më e rendë e Kushtetutës për gjithë këto vite të pavarësisë së këtij shteti, prandaj një “shkelje” e tillë duhet të mënjanohet menjëherë dhe sa më parë. Por të shikojmë se për çfarë “shkelje” bëhet fjalë:

  1. Gjykata Kushtetuese e arsyeton hapjen e procedurës për vendosje lidhur me këtë iniciativë me nenin 8, paragrafin 1 alinetë 3 dhe 4 të Kushtetutës së RM ku thuhet që sundimi i së drejtës, dhe ndarja e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor janë vlera themelore të rregullimit kushtetues të RM. Gjykata sqaron që në bazë të këtij neni, pushtetet duhet të jenë të pavarura dhe pushteti legjislativ nuk mund të ndërhyjë në pushtetin ekzekutiv dhe t’i kufizojë kompetencat e Presidentit të shtetit. Por Gjykata thirret edhe në nenin 84 alineja 9 të Kushtetutës ku thuhet që Presidenti ka të drejtë të jep falje në përputhje me ligjin. Pra, Kushtetuta e këtij vendi, që në vitin 1991 ka paraparë që: po, Presidenti ka të drejtë të falë, por sipas kushteve të përcaktuara me ligj. Me këtë përcaktohet që kjo e drejtë e Presidentit nuk është një e drejtë absolute e tij, nuk është një e drejtë e pakufizuar, por shprehimisht vendoset që kjo e drejtë e tij do rregullohet me ligj. Ligjin e sjell Parlamenti dhe të njëjtin mund ta ndryshojë sa herë ta shohë të arsyeshme një gjë të tillë dhe sa herë që do të ketë shumicë të nevojshme parlamentare për të bërë një gjë të tillë.
  2. Gjykata Kushtetuese po ashtu thekson rëndësinë e nenit 9 të Kushtetutës ku thuhet që qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në të drejtat dhe liritë e tyre pa dallim të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, përkatësisë nacionale dhe sociale, bindjes politike dhe religjioze, pozitës pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjit. Kushtetuta shumë qartë thekson që kjo barazi e qytetarëve i dedikohet të drejtave dhe lirive të tyre, të njohura me kushtetutë, ligje dhe me konventa ndërkombëtare. Po, e saktë, qytetarët janë të barabartë në të drejtat e tyre (të paktën në letër shkruan kështu). Problemi është se falja nuk është një e drejtë e qytetarit dhe as liri e tij. Nuk ekziston një e drejtë civile, politike ose e karakterit tjetër që quhet “E drejta për t’u falur nga Presidenti për krimet e bëra”! Një e drejtë e tillë nuk figuron në asnjë dokument ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, nuk figuron as në Kushtetutën e RM, nuk figuron as në Ligjin për falje. Prandaj ky argument nuk ka kurrfarë baze juridike dhe në asnjë mënyrë nuk dëshmon se Ligji për ndryshim dhe plotësim të ligjit për falje është i pabarabartë për qytetarët që paraqiten si kryerës të veprave penale.
  3. Dëshmi për atë që e drejta për falje dhe për amnisti mund të kufizohet dhe është kufizuar pikërisht me dokumente dhe konventa ndërkombëtare, është Konventa e OKB-së mbi mos-aplikimin e kufizimeve statutore për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit e sjellë në vitin 1968 dhe e ratifikuar nga Republika e Maqedonisë në vitin 1994. Kjo konventë obligon shtetet ratifikuese të ndërmarrin të gjitha masat në kushtetutat dhe legjislacionet e tyre në mënyrë që të largojnë të gjitha pengesat për ndjekjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit si në aspekt nacional ashtu edhe në aspekt ndërkombëtar. Kjo do të thotë që këto vepra penale nuk parashkruhen, nuk amnistohen, nuk falen dhe nuk ka imunitet për to. Pra, logjika është se falja mund të kufizohet për vepra të caktuara penale, një gjë e tillë është bërë që në vitin 1968 dhe nuk është parë në asnjë mënyrë diskriminuese për asnjë njeri. Duke u nisur nga kjo logjikë, është tërësisht në kompetencë të organit legjislativ të një shteti të vendosë lidhur me politikën kriminale dhe të përcaktojë vepra penale për të cilat nuk mund të jepet falje ose amnisti. Aq më tepër që sipas iniciativës së propozuar deri tek Gjykata Kushtetuese, Ligji në fjalë i vitit 2009, duhet tërësisht të anulohet, dhe kjo nënkupton edhe heqjen e ndalesës për falje edhe për krimet ndërkombëtare, gjë që bie ndesh me parimet bazë të të drejtës penale ndërkombëtare dhe konventave ndërkombëtare më të rëndësishme në këtë drejtim.

Duke pasur parasysh të gjitha këto gjëra si dhe të gjitha këto pasoja që anulimi i këtij ligji do i sjellë, është vërtetë i çuditshëm fakti që Gjykata Kushtetuese shpejton kaq shumë në sjelljen e këtij vendimi. Një vendim i këtillë, që minon të gjitha përpjekjet e vendosjes së një sistemi të drejtë dhe normal në këtë vend, një vendim i tillë që i jep goditjen përfundimtare çdo tentative për rivendosje të besimit tek institucionet, një vendim i tillë që rrezikon ta çojë këtë vend në një rrugë pa kthim dhe pa dalje, duhet menduar dhe arsyetuar mirë dhe me seriozitet sepse nuk është një vendim nga i cili kthimi do të jetë i lehtë. Mbi të gjitha, është një vendim që do të dëshmojë për lirinë ose skllavërinë e drejtësisë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button