AKADEMIKËT E KRIMIT

Para disa kohësh në shkrimin “Akademik Çosiqi në mesin e shqiptarëve me bishta”, autori M. Gjorgjeviq u kundërvihej dy akademikëve serbë dhe i akuzonte për racizëm kundrejt shqiptarëve.

Ai i kundërvihej Çosiqit, i cili shqiptarët i ka quajtur “e keqja e Ballkanit” dhe Vlladan Gjorgjeviqit, që ka thënë se “shqiptarët janë me bishta”.

Kjo kundërvënie dhe disa shkrime për historinë e gënjeshtërt serbe, nga autorë serbë, nuk e dimë nëse kanë ndikim në Serbi. Mbase janë zëra vetmitarësh në shkretëtirë. Megjithatë janë zëra të arsyeshëm. Jo pse e thonë të vërtetën, por sepse duan të krijojnë ura komunikimi ndërmjet popujve të rajonit.

Mund të thoni pse merremi me Serbinë, kur kemi shumë probleme në Maqedoni, tashmë kur kemi raporte negative për zhvillimet e këtushme nga institucionet europiane. Nuk u ik problemeve të këtushme. I kam kritikuar dhe vazhdoj t’i kritikoj dukuritë e liga që ndodhin në vazhdimësi në Maqedoni, ku kemi politikë shqiptare shterpe dhe pa vizion, por pa demokratizimin dhe orientimin humanist të elitës politike dhe intelektuale serbe, rajoni do të vazhdojë të jetë problematik.

Serbia tradicionalisht ka krijuar probleme, veçmas në Kosovë, Maqedoni dhe në Bosnjë. Nga ana tjetër është imponuar, nëpërmjet retorikës së shpërdorimit, si “faktor stabiliteti” në rajon, siç bën edhe kohëve të fundit. Një Serbi tjetër, demokratike, nënkupton më pak probleme në rajon.

Serbia vështirë të ndryshojë dhe të demokratizohet së brendshmi; të shërohet nga helmet e mëkateve dhe urrejtjes së mbjellë në kokat e njerëzve, ashtu sikurse ishin projektuar nga akademikët, për qëllime hegjemoniste, pra për “dalje në det”.

Serbia nuk është e gatshme për të bërë hapin e madh. Ajo udhëhiqet nga kokat e kontaminuara me urrejtje patologjike.

“Nuk është lehtë të shkatërrosh ndonjë idol: duhet po aq kohë sa e ke ngritur e shenjtëruar”, thotë Sjorani.

Qëndrimi i saj ndaj Kosovës është inerci e politikës e cila bazohet në idetë si të akademikëve të lartpërmendur, të cilët shumëfishuan mashtrimin dhe nxitën urrejtjen, si pasojë e së cilës serbët vranë e masakruan qindra mijëra njerëz të pafajshëm.

Elita serbe ishte shkaktarja e tragjedive me përmasa gjigante.

Me këtë logjikë të mbrapshtë dhe me mungesë të brerjes së ndërgjegjes, Serbia do të vazhdojë të jetë shtet problematik që do ta rrezikojë rajonin, herë drejtpërdrejtë e herë tërthorazi. Njëkohësisht, autoritetet e saj do t’i akuzojnë shqiptarët si “element destabilizues”. Do të vazhdojnë me këtë ritëm për sa kohë shqiptarët, duke u marrë me vetveten dhe në mungesë të një strategjie afatgjate, do të jenë në defanzivë.

Serbia gjithmonë do të synojë t’i njollos të tjerët, veçanërisht shqiptarët. Do të gjejë shqiptarë që punojnë për kauzën serbe, sikurse ka vepruar përherë gjatë historisë.

Serbia ka makineri të sofistikuar propagande, nëpërmjet së cilës arriti që në qarqe diplomatike europiane të barazonte viktimën me xhelatin. Përkëdhelia europiane e ka trimëruar aq sa sot imponohet si “faktor stabilitetit” në rajon, përkundër faktit se gjithmonë ka udhëhequr politikë gjenocidale.

I çmoj përpjekjet që e kundërshtojnë logjikën barbare të akademikëve të krimit dhe që e duan komunikimin normal ndërmjet kombeve, veçanërisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si parakusht për qetësimin e Ballkanit. Megjithatë, ka pak shpresë për triumfin e ideve të këtilla, për shkakun se ndërhyn politika dhe rrënon gjithçka. Është pikërisht ajo politikë që nuk mund të shkëputet nga idetë e akademikëve të lartpërmendur, kopjet e të cilëve i kemi me bollëk edhe këtu në Maqedoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button