Nxënësit shqiptarë në Manastir mësojnë në gjuhën maqedonase

Në shkollën fillore “Goce Dellçev” në Manastir, nxënësit shqiptarë që nga klasa e gjashtë nëntëvjeçare shumicën e lëndëve e kanë në gjuhën maqedonase.

Zait Aliu, anëtarë në këshillin e prindërve të kësaj shkolle shpreh shqetësim të madh sa i përket situatës momentale në këtë shkollë.

“Nuk kemi kuadër të arsimtarëve shqiptarë, fëmijët tanë deri në klasën e pestë nëntëvjeçare mësojnë shqip, pastaj nga klasa e gjashtë pothuajse gjitha lëndët i kanë në gjuhën maqedonase. Kjo i bie nxënësit në situatë shumë të palakueshme”, thotë Aliu.

Ai shton se edhe pse në këtë shkollë gjysma e nxënësve janë shqiptarë, prapë se prapë nuk bëhet punësimi i zëvendës drejtorit shqiptarë.

“Nxënësit shqiptarë vetëm sa shkojnë e shtohen, kurse numri i maqedonasve ulet, ata mësojnë nga 15 nxënës në klasë kurse klasat tona janë të stërngarkuara me nxënës dhe nuk bëhet punësimi i një zëvendës drejtori shqiptarë. Me këtë maqedonasit po bëjnë asimilimin e shqiptarë në këtë qytet. Nëse fëmija që në shkollë fillore fillon të mësojë në gjuhën maqedonase ai me lehtë do ta ketë pastaj komunikimin në maqedonisht sesa në shqip”, theksoi Aliu.

Deri më tani janë bërë disa takime me drejtorin e kësaj shkolle, por ai e hedh fajin tjetër kund.

“Jemi takuar disa herë me drejtorin, por ai arsyetohet se nuk ka mjete financiare, nuk është nën kompetencë të shkollës por të komunës, nga komuna na thonë që duhet të drejtohemi në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), e kështu me radhë, askush nuk na jep një përgjigje konkrete se ku qëndron problemi”, tha në vazhdim Aliu.

Ndërkaq para dy viteve në këtë shkollë u bojkotua mësimi nga nxënësit shqiptarë të cilët kërkonin ndarje të klasës së parë dhe të pestë, të cilat ishin të stërngarkuara me nxënës, gjë që u arrit me shumë vështirësi të realizohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button