Gazetari jep lajme, e jo thashetheme dhe interpretim të “ëndrrave”

[Recension PDSH-ja e Thaçit pranon se në Saraj po zhduket, Bekim Fazliu mund të bëhet deputet vetëm “në ëndërr”]

Koment i bazuar vetëm në thashetheme, por me synime të bëhet lajm. Konstatime, gjeneralizime pa asnjë bazë apo argument. Apo më mirë thënë, për bazë kanë marrë simpatinë ndaj subjektit politik, për të cilin thuhet se ka “fituar zemrën” e një anëtari të PDSH-së  që paska kaluar – në BDI. Por, si mundet rastet të tilla individuale, qofshin edhe të vërteta, të paraqiten si një fenomen i tërë për të dhënë konstatimin komentues që shpon syrin e lexuesit në titull? Supozimet dhe akuzat e ndërsjella partiake, llogaritjet e votuesve dhe simpatizuesve, ndoshta janë punë e politikanëve dhe partive, por jo edhe e gazetarit, i cili ka per detyre që opinionit t’ia shpalosë qëndrimet e tyre, faktet dhe të vërtetën, e jo të merret me thashetheme të pavërtetuara, të lexojë mes rreshtave e interpretojë “ëndrra”.

PDSH ja e Thaçit pranon se në Saraj po zhduket Bekim Fazliu mund të bëhet deputet vetëm “në ëndërr”Linku deri te artikulli origjinal: PDSH-ja e Thaçit pranon se në Saraj po zhduket, Bekim Fazliu mund të bëhet deputet vetëm “në ëndërr”

Data dhe koha e publikimit: 09.03.2016, ora 12:31

Data e recensionit: 12.03.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Po të merret si model bazimi i këtij autori, atëherë ne gazetarët vazhdimisht mund të lexojmë mes rreshtash, të botojmë thashetheme dhe të themi çfarë të duam, pasi që pohimet e tona i bazojmë në njohuritë e shumta që i kemi jo vetëm si gazetarë, por edhe si psikologë, interpretues të ëndrrave dhe ardhmërisë…njohës të ‘gjithanshëm’. Do t’ia lejonim vetes të shkruajmë çfarë të duam, të mos dihet ku është fillimi e ku fundi i lajmit, ku fillon e mbaron komenti, e ku simpatia ndaj një partie politike.

“Kryetari i degës së PDSH-së në Saraj, Sefedin Aliu, në mënyrë indirekte pranon se një numër i madh të aktivistëve të Menduh Thaçit kalojnë në LR-PDSH, siç është rasti me Evzal Ademin nga fshati Bukoviç i cili mbrëm haptazi pranoi se kalon në partinë e Ali Ahmetit, gjegjësisht në BDI. Sipas kryetarit të degës të PDSH-së, Aliu, personi Evzal Ademi nga Bukoviçi është i Selës dhe nuk është i BDI-së, por mbrëm Zhurnal për herë të parë e publikoi lajmin me kërkesë të Evzal Ademit i cili deklaroi publikisht se përfundimisht rradhitet pas partisë shqiptare në pushtet, BDI”

 Nga zotëri ‘lexuesi i mendimeve’, kalojmë tek zotëri ‘llogaritari’.

“Kalimet e aktivistëve të PDSH-së në LR-PDSH dhe BDI po i shkaktojnë kokëdhimbje të mëdha partisë së Thaçit, PDSH-së.  Vetëm në Komunën e Sarajit pjesa dërmuese e aktivistëve dhe simpatizantëve të Menduh Thaçit kanë kaluar në LR-PDSH, madje kalkulimet e fundit flasin se deputeti aktual i PDSH-së, Bekim Fazliu asnjëher më nuk mund të bëhet deputet”

Si mund të jepet një kualifikim aq i fortë, ende pa nisur as fushata zgjedhore, e lëre më pa dalë rezultatet e zgjedhjeve? Ku e gjeti autori 70 përqindëshin pa dhënë asnjë provë? Nuk janë dhënë as numrat e anëtarëve të saktë që i ka PDSH-ja, sa prej tyre kanë kaluar në LR-PDSH, që prej kësaj të dalë edhe përqindja. 70 përqind është një parti e tërë. Këso shifrash nuk mund të jepen ‘shkel e shko’.

“Deputeti aktual i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Bekim Fazliu sipas informacioneve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në njësinë zgjedhore nr.1 do të përjetojë fiasko të vërtetë për shkak se rreth 70 për qind e trupit elektoral veç më kanë kaluar në Lëvizjen për Reforma të PDSH-së të udhëhequr nga Ziadin Sela”

Nga përqindjet,  gazetari del edhe në numra konkrete, mu si në pazar apo muhabet kafenesh. Njëherë i jep 2 mijë, e më pas 3 mijë vota deputetit të PDSH-së, Bekim Fazliu. Këto llogaritje aq ‘precize’ nuk do të kishin arritur t’i bëjnë as organizatat që vazhdimisht merren me monitorimin e zgjedhjeve dhe partive politike.

“Në komunën e Sarajit Bekim Fazliu mund të numërojë prej 2.000 deri në 3.000 votues ndërsa përkrahësit e Ziadin Selës e kontrollojnë pjesën tjetër të trupit elektoral të PDSH-së. Njësia zgjedhore nr. 1 e cila me vite ka qenë bastion i PDSH-së ku më së tepërmi deputetë I kësaj partie dilte lideri aktual i PDSH-së Menduh Thaçi. Mirëpo siç duket gjërat kanë ndryshuar dhe matematikat zgjedhore nuk do të jenë të njëjta, të cilat paralajmërojnë se deputeti aktual Fazliu do të mbetet jashtë Parlamentit”

Nuk lëshohet as mundësia pa vjellë vrer ndaj politikanit Bekim Fazliu, kuptohet me informata “jozyrtare“.

“Jozyrtarisht Zhurnal meson se pikërisht Bekim Fazliu është edhe një ndër fajtorët kryesorë që kandidati i PDSH-së biznesmeni Hazbi Nuredini dështoi për shumë pak vota në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Sarajit. Shanset e tij për të qenë sërish deputet edhe në përbërjen e re parlamentare janë zvogëluar dukshëm për shkak të incidentit që ndodhi në Parlament vitin e kaluar ku një ndër protagonistët kryesore në përleshjen fizike mes deputetëve shqiptarë ishte pikërisht deputeti Fazliu”

Muhabete të tilla nuk i ngjajnë një teksti që synon të jetë informativ. Të paktën që ka mundur të bëjë autori i këtij teksti është që të marrë prononcime zyrtare nga PDSH-ja dhe LR-PDSH-ja dhe të dhënat e anëtarëve e qëndrimet që do t’i japin këto parti të publikohen, me qëllim që vetë lexuesit të vlerësojnë se cilat argumente janë më të besueshme. Kështu do të shmangej subjektiviteti. Gjithashtu, sulmet ndaj një politikani në gazetari janë kryesisht të lejueshme në masë dinjitoze në zhanret subjektive, si komenti apo kolumnet, dhe legjitime në rast se bëhet fjalë për krim dhe korrupsion, për fshehje të informatave të interesit publik nga opinioni, për keqpërdorim të resurseve publike, e jo edhe për bindje, zgjedhje që ai ka bërë gjatë karrierës politike se cilit tabor do t’i bashkëngjitet.

Kodeksi i Gazetarëve të Maqedonisë dikton që….

  1. Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë gjer të gjitha burimet e informimit, të cilat janë në interes publik.
    Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale ose të falsifikojë dokumente.
    Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar.
    Saktësia e informatës duhet vërtetuar aq sa është e mundur.
  1. Gazetari nuk ka për të krijuar ose përpunuar me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk ka për të folur me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)
  2. Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve.
  3. Raportimi për proceset politike, veçanërisht zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar.
    Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button