Kur miza bëhet buall

[Recension Gruevski pritet si hero në Kërçovë, shqiptarët a rrezikojnë ta humbin këtë Komunë!]

Nxitimi për të shkruar disa rreshta lajm i pari, po shkatërron bukurinë e fjalës e së shkruar, por edhe peshën e mediave si lajmëtarë të besueshëm. Nxitohet – të jemi më të parët, të jemi më origjinalët, e të jemi më të dalluarit. Ky tentim për t’u dalluar shpeshherë bëhet duke shkelur rregullat e gazetarisë, si saktësia e informatës, rëndësia e publikimit të lajmit për opinionin, konsultimi i të gjitha palëve të prekura nga ndonjë çështje e caktuar, e një varg kushtesh të tjera që duhet t’i përmbushë një tekst për të gëzuar epitetin “lajm”.

Gruevski pritet si hero në Kërçovë shqiptarët a rrezikojnë ta humbin këtë KomunëLinku deri te artikulli origjinal: Gruevski pritet si hero në Kërçovë, shqiptarët a rrezikojnë ta humbin këtë Komunë!

Data dhe koha e publikimit: 09.03.2016

Data e recensionit: 11.03.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Teksti që po recensojmë ka zgjedhur rrugën më të shkurtër dhe më të lehtë për të fituar klikime, duke publikuar lajm, i cili as nuk mund të konfirmohet, e as nuk mund të demantohet. Autori i tekstit është marrë me situata hipotetike që i ka sajuar ai vetë, duke mos dhënë asnjë shenjë se ka tentuar të zhvillojë më tej profesionalisht hipotezat dhe temën që e ka filluar. Gazetari ka zgjedhur të luajë rolin e opinionistit, duke harruar se në tekstin që ai ose ajo shkruan nënshkruhet si gazetar, e jo si analist.

Ka qenë vizita e kreut të VMRO-DPMNE-së në Kërçovë që ka ndezur alarmin, se gjoja shqiptarët mund ta humbin kryesimin me këtë komunë për shkak të simpatisë që gëzon Gruevski tek popullata në këtë vend. Por nëse shohim me sy realitetin, a ka pasur vërtetë nevojë të ngritet kjo çështje. Aq më tepër a ka pasur nevojë të aktivizohet “alarmi kombëtar” nga një gazetar, i cili ka për detyrë të raportojë apo të pyesë të tjerët se çka mendojnë, e jo shprehë mendimin e tij në rubrikën e lajmeve.

“Mijëra qytetarë sot kanë dalë nëpër rrugët e Kërçovës dhe kanë përqafuar ish kryeministrin Nikolla Gruevski, duke i thënë se ai është shpëtimtarë i Maqedonisë dhe se në zgjedhjet e ardhshme komunale kandidati i VMRO-DPMNE-së bindshëm do të fitojë kandidatin shqiptarë. Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka premtuar se partia e tij do të rreshtohet pas banorëve të Kërçovës dhe do t’u ndihmojë për t’u përmirësuar kushtet e jetës dhe standardin e tyre jetësor”

Autori thekson temën e ndarjeve në bazë të përkatsisë etnike, pasi që është i vetëdijshëm se temat e tilla “i ha” publiku, i cili është shumë i prekshëm kur bëhet fjalë për kombin dhe të drejtat. Ai përkujton zgjedhjet e fundit lokale ku kandidati shqiptar mezi që fitoi postin e kryetarit, duke tentuar kështu të ‘mobilizojë’ opinionin që të mos humbet Kërçova. Autori thotë se partitë politike janë vënë nën alarm për kërcënimin nga humbja e Kërçovës, por në tekst nuk figuron asnjë qëndrim, nga asnjë parti politike.

“Në zgjedhjet e fundit u sensibilizuan edhe shqiptarët që jetojnë në Evropë dhe Amerikë për të votuar në Kërçovë, të cilët me votën e tyre triumfuan në zgjedhje, por për herë të parë partitë maqedonase VMRO-DMNE dhe LSDM u bën bashkë dhe nxjerrën kandidat të përbashkët edhe pse disa javë më parë në Parlamentin e Maqedonisë, funksionarët e VMRO-DPMNE-së dhanë urdhër që deputetët e LSDM-së të nxjerrën nga Parlamenti duke i tërhequr zvarrë madje edhe duke e rrahur Radmilla Sheqerinskën. Por euforia e madhe e qytetarëve maqedonas vë në alarm partitë shqiptare që në zgjedhjet e ardhshme komunale mund të humbet Kërçova nga ndonjë kandidat maqedonas”

Lajme të tilla “në mjegull” nuk meritojnë të botohen. Në rubrikën e komenteve dhe opinioneve ndoshta po, por jo t’i paraqiten publikut si informacion. Vetëm në rast se ekzistojnë deklarata nga aktorët kryesorë, apo nëse ky shqetësim ngrihet nga njerëz që kanë kompetencë të flasin mbi këtë , mund të shkruhet tekst analitik, por me të gjitha nishanet që i do gazetaria. Lajme të tilla që bëhen vetëm sa për numër mund të ulin vlerën e mediumit dhe teksteve të tjera që do të shkruhen në të ardhmen. Prandaj, gjithmonë duhet nisur nga një analizë e vogël – se sa kemi mundësi të nxjerrim nga një temë dhe sa prej asaj që e dimë jozyrtarisht apo e supozojmë, mund ta dëshmojmë. Në rast se të dhënat tona nuk mund të konkretizohen, atëherë edhe lajmi nuk ia vlen të shkruhet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button