A u arritën objektivat e atyre që flijuan më 2001?

Në momentin kur po shënohet 15 vjetori i fillimit të Luftës së 2001-shit partitë politike ndajnë mendimin se nuk është arritur objektivi për të cilin ranë shumë dëshmorë. Marrëveshja e Ohrit ndali luftën, por nuk arriti barazinë e plotë mes dy popujve shumicë në vend.

Subjektit politik BDI, e cila thirret si parti e dalur nga lufta, partitë tjera konsiderojnë se i ka mbetur vetëm tu kërkojë falje dëshmorëve dhe pjesëmarrësve të luftës, raporton Portalb.

Ibrahimi: Nuk ka më keq se të pasurohesh mbi gjakun e dëshmorëve

Anëtari i kryesisë qendrore të Levizjes Besa Zeqirija Ibrahimi cilëson se nga momenti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit u kuptua se sa nuk janë arritur objektivat e luftës.

“Ju e dini që aty nuk u rregullua çështja e gjuhës shqipe, ndërsa në momentin e fundit u ndryshua edhe preambula që përsëri na vendosi në plan të dytë. Përveç kësaj, në këso beteja politike nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë qëllimi ke në luftë, por aq më shumë është e rëndësishme se me çfarë ushtarë e bën atë. Nëse ata që duhej ta mbronin arritjen e paktë të luftës, janë këta që përgjatë këtyre viteve vetëm mblodhën miliona dhe sot nuk arrijnë të zgjidhin as problemin e dy emrave të shkollave, është krejt e qartë se cili ka qenë “suksesi” i tyre. Me këto ushtarë, pra politikanë të papërgjegjshëm, jo që devalvohen vlerat e luftës, por edhe nëpërkëmben ato”, u shpreh për Portalb Ibrahimi

Ai kujton faktin se këta që erdhën në pushtet përmes gjakut të dëshmorëve dhe luftëtarëve, nuk arritën ta zgjidhin as statusin e tyre.

“Dështim më i madh se ky nuk ka. Të pasurohesh mbi gjakun e dëshmorëve dhe t’i lësh në mjerin familjet e dëshmorëve, më keq se kjo nuk ka ku shkon. Nëse sot duhet t’u thuhet diçka dëshmorëve dhe pjesëmarrësve të luftës, atyre duhet t’u kërkohet vetëm falje dhe asgjë më shumë”, përfundoi Ibrahimi.

Taravari: Njerëzit nuk humbën jetë që Marrëveshja të mos realizohet

Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i LR-PDSH vlerëson se qëllimi i luftës nuk ishte kjo që u arrit sot, por larg asaj.

“Lufta ishte e nevojshme por a u arritën objektivat?! Shumë, shumë larg të arriturave! U bë një marrëveshje për ta ndalur luftën, e cila ishte marrëveshje kompromisi për shqiptarët edhe pse kishte plotë njerëz, të rinj, që e humbën jetën, por nuk e humbën që kjo marrëveshje e cila u arrit të mos realizohet. E dimë se afatet e fundit për realizimin e fundit ishte fundit vitit 2004, sot jemi në fillim të vitit 2016, do të thotë 15 vite prej kur nisi lufta dhe ende ekziston në kuadër të Qeverisë Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që është paradoks në vete. Absolutisht mendoj se Arbën Xhaferi me mjete politike do të kishte arritur shumë më shumë se sa arritën këto të cilët lindën si politikanë të luftës së 2001”, theksoi për Portalb Taravari.

Adili: Kemi nevojë për arritjen e synimeve të UÇK-së

1888544_1775622972666438_3648937687350969129_n

Ish anëtari i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Zylfi Adili tani deputet, nga partia Uniteti, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë 15 vjet pas luftës mes UÇK-së dhe forcave qeveritare që ishte si pasojë e Kushtetutës së vitin 1991 të kontestuar nga shqiptarët, dëshmon për Portalb se viti 2001 ishte kthimi i dinjitetit dhe barazisë së plotë mes dy popujve në vend dhe tentim për kthim të funksionimit të institucioneve në shërbim të qytetarëve.

“Por, kjo nuk u arrit ashtu siç ishte e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit e cila u inkorporua në Kushtetutën e vendit për arsye se klasa politike në vend kaloi mbi Kushtetutën, mbi institucionet dhe mbi shtetin. 15 vjet më vonë kemi nevojë të domosdoshme për arritjen e synimeve dhe misionit të UÇK-së që u paraqit si imperativ i kohës dhe që ishte organizim gjithëpopullor”, tha për Portalb Adili.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare për tu prononcuar rreth tematikës ishin te pakapshëm./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button