Dita e Verës, aktivitete në kryeqytet; në Elbasan festa filloi që në mesnatë

Dita e Verës do të pritet edhe në kryeqytet me muzikë , lojëra dhe argëtim. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh gjatë ditës së sotme.

I gjithë kryeqyteti duke nisur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, parku “Rinia”, lulishtja tek sheshi “Skënderbej”, sheshi “Nënë Tereza” si dhe zona tek Blloku do të kthehen në arenë festive ditën e 14 marsit.

Kështu duke nisur prej orës 09:00 të mëngjesit të ditës së sotme do të çelet panairi EKO në sheshin “Nënë Tereza”, risi e këtij viti, ku kompani lulesh si dhe disa sipërmarrje riciklimi do të krijojnë një kopsht të madh në shesh si dhe do të promovojnë punimet e tyre të realizuara nga mbetjet urbane.

Pjesë e kësaj feste tradicionale tashmë janë edhe fëmijët. Kështu rreth 1000 fëmijë të veshur më uniforma të gjelbra dhe kafe, do të vendosen në formën e një peme nën moton “Jeto Eko, Festo Eko” dhe do të parakalojnë nga kryeministria në drejtim të Sheshit “Nënë Tereza”.

Ansambli i Tiranës, Teatri i Kukullave, Cirku i Tiranës gjithashtu janë pjesë e festimeve të 14 marsit, ku kanë parashikuar performanca të ndryshme argëtuese për fëmijë dhe të rritur.

Po ashtu, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me biznese të ndryshme Ditën e Verës ka organizuar edhe koncerte të ndryshme, ku është parashikuar ngjitja në skenë e këngëtarëve më të njohur të momentit.

Ndërsa në qytetin e Elbasanit festimet kanë nisur që në mesnatë. Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Aqif Pasha” për të ndjekur koncertin e mundësuar nga bashkia e këtij qyteti.  Këngëtarë të njohur shqiptarë janë ngjitur në skenë për të festuar së bashku ardhjen e verës dhe ikjen e dimrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button