Dy puna, prej zorit: Paradite n’kafene, pasdite në lojë (VIDEO)

Rrogat e vogla dhe vonesat e tyre i shtyjnë sportistët ta kërkojnë një punë të dytë. 200-300 euro në muaj janë të pamjaftueshme dhe ata detyrohen t’i kryejnë dy profesione për të mbijetuar. Njëri prej tyre është edhe hendbollisti, Vedat Llapashtica, i cili paradite punon në kafene e pasdite shkon në stërvitje apo lojë. Ai, si shumë kolegë, i bën dy puna – prej zorit

Pagat në sportin kosovar janë mizerie. Sportistët paguhen nga 200-300 euro në muaj, të cilat nuk i përmbushin as për së afërmi kërkesat e tyre, shkruan Zëri.

Madje, një pjesë të sportistëve u vonohen rrogat, edhe ashtu të vogla. Kjo i detyron ata, thuajse secilin, që ta kërkojnë një punë të dytë për të mbijetuar. Njëjtë vepron edhe hendbollisti, Vedat Llapashtica.

Prishtinasi është detyruar t’i ushtrojë dy profesione, vetëm për t’ia dalë mbanë. Hendbollisti prishtinas tash e sa vite luan në fanellën e Prishtinës dhe njëkohësisht punon edhe në kafenenë “Bamboo”. Ai e pranon se nuk është aspak e lehtë, por zgjidhje nuk ka.

“Në Kosovë është tejet e vështirë të merresh me dy profesione, por nëse nuk mungon vullneti mund t’ia dalësh. Edhe pse i bëj dy puna, profesion më i dashur për mua mbetet hendbolli, pasi është sport me qejf, ndërsa puna e banakierit është pak me qejf dhe pak e imponuar”, u shpreh fillimisht Llapashtica për “Zërin”.

Ai madje zbulon një ndodhi të pazakontë, e cila i kishte ndodhur kohë më parë. Vedati mundohet t’i gërshetojë të dyja punët, në mënyrë që të mos e lërë asnjërën keq.

“Më ka ndodhur që në stërvitje të mos shkoj ndonjëherë shkaku i kësaj pune, por edhe klubi e mirëkupton këtë. Ndërsa, sa u përket ndeshjeve, gjithmonë jam i pranishëm dhe për këtë duhet ta falënderoj stafin e ‘Bamboo’-s, pasi gjithmonë më zëvendësojnë për të ma mundësuar të jem në ndeshje”, potencoi Llapashtica.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button