Vrasja e dytë e refugjatëve!

Jemi në vitin 2016 dhe disa krijesa kokëpalarë, njerëz arixhinj të ardhur prej “botës së tretë”, nga andej ku jetohet si kafshë po duan të hyjnë në zemër të shteteve tona, në Europën tonë të pastër prej racave aziatike e lindore.

More, a i keni parë sa të zinj janë, sa të pështirë sa të vrarë e sa mizerje. Të lodhur e të këputur siç janë bëjnë kinse sikur qenkan në rrezik.

Këta zvarranikë toke, njerëz me lesh të tepërt në kokë që nuk e dinë se ç’është të lahesh dhe të jesh i pastër. More a e keni parë se i kanë ata sytë herë të zinj, herë të kafenjtë dhe hera-herës marrin ngjyra si të kuq dhe të kuqerremtë.

Po këta more as si njerëz nuk dinë të jetojnë. Këta njerëz që kanë racë të prishtë, gjithashtu kombësinë, fenë po duan të hyjnë në kontinentin tonë, më i lashti në tokë dhe në shtetin tonë si për ta prishur racën tonë të bukur.

Si zvarranikë toke, si hardhuca duken duke u çjerrë e duke ngjitur mure dhe tela të vendosura nga dora jonë, nga ne ballkanasit që nuk mund të durojmë dot racën e huaj, shtazarake, varfanjake dhe mjerane.

E keni parë si janë. Janë të zinj. Më mirë ti kishim plagosur. Jo jo. Më mirë ti kishim vrarë, ti kishim hequr qafe veç po na dynden në dyert tona dhe as që meritojnë të jetojnë.

Po pse more i ushqeni, pse more jepni para nga taksat tona për këta majmunë pa bisht, racë e ndyrë e botës së tretë. E sigurt se në mos mendon tamam kështu, përafërisht i tillë mendim është në subkoshiencën e regjimit të Nikola Gruevskit.

E pra. Çfarë po shohim? Ja po të shohim në televizione dhe në gazeta ty pushtetar të shtetit tonë që të kemi zgjedhur duke kryer më së miri atë punë që të ka vënë detyrë pushteti që ta mbarosh.
Ja të shohim teksa po i largon. Të shohim sesi mure po iu ngre.

Po të shohim sesi po i dëbon, po i masakron, po i vret për të dytën herë. Ti pushtetar sidomos i Maqedonisë, por edhe i Serbisë apo i Shqipërisë qofsh krejt pa ndjenja njerëzore po vepron.

Ja po i vret. Po i zhbën. Mure po iu ngre. Po thua se ata marokenë, ata aziatikë që janë si majmunë vetëm me kamxhik mund të marrin vesh.

Dhe ja krejt po vazhdon dhunën politike, fizike, morale mbi emigrantët e Lindjes së Mesme.

Kjo sepse ti je i bindur se këta emigrantë të Lindjes së Mesme janë tepricë e tokës, krijesa që duhen shfarosur e duhen zhdukur që të mos vazhdojë akoma ripërtëritja e kësaj race.

Ashtu siç edhe mendon pushteti që të ka graduar ty, ashtu edhe po vepron.

Këta refugjatë nuk janë nga shteti yt dhe as nga kombi yt. Ata po e fëlliqin shtetin, kombin tënd dhe Europën tënde.

Po të shohim teksa i vret krejt pa mëshirë, teksa i godet me shkop, me legjitimitet të uniformës, me gomë e me kërbaç.

Kjo sepse ti pushtetar i Gruevskit je i bindur se këta refugjatë të nxijnë racën, kombin dhe fisin.

Po të shohim sesi i vret, sesi ua pi gjakun, i lë në baltë e në shi, në borë dhe në akull, me qëllim që as frymë të mos kenë mundësi të marrin.

Veç burg thua se këta emigrant meritojnë dhe hiç më asnjë fjalë të mos e thonë.

Ti pushtetar, polic, oficer, shërbëtor i pushtetit gruevskian më së shumti, rrihe emigrantin e nxija jetën sepse për ty ajo lloj race që po vjen drejt Evropës është më e ndyra e tokës.

Po more të pamë. Të pamë teksa me uniformë të shtetit racist ia nxive syrin, e godite me shkop babain e dikujt motrën e dikujt tjetër bijën e dikujt dhe foshnjën po e tjetërkujt.

Të pamë edhe sesi ti i bindur në racizmin tënd e vrave shpresën e njerëzve që pak shpresojnë dhe që po mundohen ti ikin një lufte mizerable.

Të pamë sesi nga një njeri me uniformë policie krejt në sytë tona shndërrohesh në një vemje anti-njerëzore.

Të pamë sesi emigrantit ia vrave shpresën, ia helmove shpirtin, ia dogje besimin e ia shkatërrove atë pak dritë për të jetuar krejt normal sikurse ty.

Të pamë sesi uniforma jote në sytë tanë shndërrohet në simbolin e dhunës, të poshtërimit të tjetrit, të marrisë të nacionalizmit etnik që ti ka verbuar sytë.

Të pamë sesi dëshirën e tjetrit e godet dhe e prangos. Nga ana tjetër lirinë ia bllokon me mure dhe se shpresën veç ia nxin, ia shkreton, ia shtyp, ia errëson, ia vret.

E tashmë bën vetëm të kesh një pasqyrë tënden morale dhe ta vëzhgosh vetveten për ta parë në mënyrë krejt racionale.

Me siguri që tek vetja do të shohësh padrejtësinë, dhunën e ligjëruar, mendjen raciste dhe abuzive.

Me siguri që tek vetvetja do të mund të kuptosh atë ç’ka mundet ta shohë shumica së jashtmi.

Kjo e vërtetë është se në ty është zhbërë njerëzorja në emër të mbrojtjes të shtetit racist.

Sesi hiç më shumë se uniformë e tillë është ligjërim i një shteti nacionalist, ksenofob, që e përligj dhunën në emër të shenjtërisë së kombit, në rastin konkret atij maqedon.

E krejt ç’ka mund të kuptosh është se teksa “komb i shenjtëruar” po ngrihet në qiell me statuja, kombe të varfëruara të Lindjes dhunohen, përbuzen e masakrohen në shpresa.

Krejt ç’ka mund të kuptohet është se gjithë kjo marrëzi për të ruajtur racën e pastër kombin e pastër është as më pak e as më shumë se të jesh mbi të gjitha kundër njeriut.

Krejt ç’ka mund të kuptosh është se dhuna vret e se atë çdo shpirt i gjallë, çdo frymor, maqedon, serb, shqiptar a sirian qoftë e ndjen si dhimbje.

Krejt ç’ka mund të kuptosh është se je në shërbim të një politike raciste që krejt pa turp ndan marokenët nga sirianët apo egjyptianët nga irakenët.

Krejt ç’ka mund të kuptosh është se të ruash me çdo kusht kombin tënd shkakton nga ana tjetër krime të ligjëruara mbi shpirtra të pafajshëm.

E se sërish mund ta mbrosh shtetin tënd, vendin tënd, por se kësi formash të shndërrojnë në dhunues, në njëriun e hurit, të litarit dhe të kërbaçit.

Së fundmi mund të kuptosh edhe se toka është e të gjithëve dhe se ajo i takon të gjithë njerëzve, pavarësisht përkatësisë etnike.

Të gjithë jemi nga Toka dhe se ajo ç’ka na bën të rradhitemi si të mirë po të këqinj janë veprimet tona, të cilat na bëjnë të ligë kur vrasim e presim shpresa!
Tiranë, 12 mars 2016

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button