Dalin pamjet e sulmit me molotov ndaj shtëpisë së Kryeministrit Mustafa (video)

Lidhja Demokratike e Kosovës, duke marrë shkas një komunikatë të AAK-së lidhur me sulmin ndaj zyrave të Presidencës, duke mos paragjykuar kryerësit e tij, thekson keqardhjen e saj se akte të tilla kriminale ka pasur në vazhdimësi në muajt e fundit dhe se pas tyre nuk ka pas distancim të qartë nga të gjitha subjektet.

“Vlen të theksohet se gjatë këtyre muajve, është hedhur molotov mbi Policinë e Kosovës në disa protesta, është djegur një pjesë e objektit të Qeverisë së Kosovës, janë djegur makinat e familjarëve të ministrave dhe zëvendësministrave e të shefave të grupeve parlamentare të LDK-së e PDK-së, janë hedhur disa shishe molotovi mbi shtëpinë e kryeministrit Mustafa, janë dëmtuar dhjetëra zyra të LDK-së nëpër Kosovë dhe është djegur zyra e PDK-së në Deçan. Mos të harrojmë se së paku 6 çanta me 39 shishe koktej molotovi, Policia e Kosovës ka deklaruar se i ka gjetur edhe në tendat e ngritura në shesh si dhe më herët në selinë e një partie”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK kësaj komunikate ia ka bashkëngjitur edhe dy pamje me video të sulmit me molotov ndaj shtëpisë së Kryeministrit Isa Mustafa gjatë protestës së 26 shkurtit.

“Me qëllim që të ndihmojnë në identifikimin e këtyre personave, po i bashkëngjisim edhe videot e sulmeve me molotov mbi shtëpinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që eventualisht ndokush të ndihmojë organet e rendit duke identifikuar këta persona, të cilët kanë qenë në mesin e protestuesve në demonstratën e thirrur nga opozita, e cila eskaloi në dhunë ekstreme, në natën e 26 shkurtit 2016”, thekson LDK.

Ndërkaq, sa i përket rolit të viktimës, LDK thotë se e vërteta e hidhur është se tash e sa muaj, për përfitime krejtësisht politike, në Kosovë po viktimizohen interesat madhore të qytetarëve të Kosovës, po pengohet puna e institucioneve legale e legjitime, po dëmtohet imazhi i vendit, po vështirësohet zhvillimi ekonomik, proceset integruese evropiane, liberalizimi i vizave e plotë procese tjera.

“Prandaj, ajo që ne kërkojmë me insistim nga të gjitha subjektet politike është që të distancohen përfundimisht nga këto veprime dhe nga diskursi i legjitimimit të gjuhës anarkiste të molotovëve e të gazrave helmuese në jetën publike e politike, duke u thirrur në kauza totalisht të paqena, e të cilat kanë neveritur qytetarët dhe partnerët tanë strategjik ndërkombëtarë, tash e sa muaj”, thotë LDK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button