Ueb-faqja e MPB-së vetëm maqedonisht, nuk pranojnë asnjë gjuhë tjetër (FOTO)

Ueb faqja e Ministrisë për Punë të Brendshme të Republikës së Maqedonisë bën pjesë në grupin e ueb faqeve të institucioneve shtetërore, që përditësohen vazhdimisht. Megjithatë kjo ueb faqe ka vetëm një version: atë në gjuhën maqedonase. Nga MPB për Portalb deklaruan se nuk kanë informacion se e njëjta duhet të përkthehet në gjuhën shqipe.

“Gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë është gjuha maqedonase dhe për këtë arsye ueb-faqja e MPB-së është vetëm në gjuhën maqedonase. Nuk ka version në gjuhën angleze. Nuk ka version në gjuhën shqipe.”-deklaroi nga zyra e zëdhënësit të MPB-së, Toni Angelovski.

Të pyetur nëse në të ardhme të afërt do të ketë version në gjuhën shqipe u përgjigjën: “Nuk e dij. Nëse do të ketë, do ta shihni, do të paraqitet. Mua deri sot askush nuk më ka informuar se ueb-faqja jonë duhet të përkthehet edhe në gjuhën shqipe.”

Sipas një hulumtimi të kryer nga Fondacioni Metamorfozis, institucionet shtetërore më shpesh i shfrytëzojnë uebfaqet e tyre dhe mediat sociale me qëllim që qytetarëve t’u sigurojnë informata relevante dhe mundësi për të marrë pjesë në vendimmarrje.

Me atë rast, Bardhyl Jashari, drejtori i fondacionit të lartëpërmendur u shpreh: “Përdorimi i gjuhës shqipe në ueb faqet e institucioneve shtetërore në nivel lokal apo qëndror nuk duhet të politizohet sepse nuk është çështje politike. Prania e shqipes në uebsajt ka të bëjë me atë se sa ai institucion është i hapur për bashkëpunim me qytetarët, për ti dëgjuar ata. Dihet se një qytetar ndjehet më mirë dhe shprehet më lirshëm kur e përdor gjuhën amë në komunikim.”

Ndryshe, Neni 1 i Amandamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nenÇdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”

Në bazë të regjistrimit të fundit të popullsisë të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni ishte 25.17%./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button