Maqedonia arreston një zyrtar të Kosovës sipas një urdhër arresti serb

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se policia maqedonase arrestoi të premten Gafurr Dugollin, drejtor i Zyrës së Protokollit në këtë ministri, derisa po shkonte me detyrë zyrtare për rregullim të vizave  në ambasadën amerikane në Shkup, njofton Zëri i Amerikës.

Arrestimi është bërë në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga policia e Serbisë, nën dyshimet se Dugolli është i kërkuar për krime lufte. Gjatë luftës së Kosovës ai ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës u shpreh e shqetësuar për ndalimin e Dugolli, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Ndalimi i zoti Dugolli në pikë kalimin kufitar Kosovë-Maqedoni, është bërë duke u bazuar në fletarrestet jolegale serbe, me pretendimin tashmë të njohur “për kryerje të krimeve të luftës”. Qeveria e Kosovës fton Republikën e Maqedonisë dhe të gjitha shtetet fqinje e më gjerë, që të mos ndërmarrin veprime policore ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës duke u bazuar në listat e Serbisë, të cilat janë të hartuara në shpërputhje të plotë me aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare në këtë fushë“, thuhet në një reagim të qeverisë e cila thekson se do të kërkojë me këmbëngulje nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe partnerët strategjikë të Kosovës që të përdorin ndikimin e tyre te Serbia për t’u dhënë fund përndjekjeve të karakterit të tillë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është informuar se Serbia para pak ditësh, duke shkelur çdo praktikë ndërkombëtare, ka përditësuar listën e re, ku sërish janë përfshirë qytetarë dhe personalitete të Republikës së Kosovës, me ç’rast i konsideron ato akte krejtësisht të pavlera dhe të cilat duhet të injorohen e të mos merren fare parasysh nga shtetet fqinje dhe me gjerë“, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte e vendkalime kufitare të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button