Emri im i madh

Jo, jo. Nuk më merr gjumi. Biseda telefonike me redaktorin e revistës X më la pa gjumë. Po pse më la pa gjumë? E di, se nesër do të bëhem i madh dhe me famë. S’ e di? Ndoshta nesër mund të mos bëhem i madh. I madh? Nesër në revistën X më del emri im me shkronja të mëdha, sikurse që jam vetë unë. Ndoshta s’do të vërehet fare, ngase lexuesit nuk do ta pëlqejnë punimin tim.
Po, nejse. Pa marrë parasysh vlerën e krijimit që kam apo s’kam në revistën X , kryesorja është të mbetet emri im me shkronja të zeza e të mëdha. Shumica nuk e dinë se vetëm emri gjatë tërë jetës mbetet vlerë. Këto mendime të bukura dhe të këqija tërë natën e natës më lanë pa pikë gjumi.
Nga larg u dëgjua gagaritja e gjelave që e paralajmëronin mëngjesin e kësaj dite të bekuar për mua, për shokët, letrarët, artistët. Sot unë! Po, unë, unë! Kush? Unë. Do të bëhem i madh…! Çohem me shpejtësi, pa larë sytë, pa krehur flokët, thuajse harrova të vesh pantallonat dhe këpucët. Sulem si shigjeta drejt qoshkut për të blerë Emrin tim që e kisha në revistën X. Këtë herë isha më i butë, më i sjellshëm, më i kulturuar me shitësin e gazetave, shkaku i emrit tim të madh në revistën X. Prej sot emri im ishte i madh sa një shtëpi. Ah, jo. Harrova të them se me këtë nuk pajtohem, sepse ai është i madh sa një qiellgërvishtës i rrugëve kryesore të qytetit të Nju Jorkut.

Qesha në vete, pa zë, sepse kur qesh me zë, atëherë nuk më qesh shpirti. Këtë jua them që ta dini, sepse prej sot e tutje unë do të qesh me shpirt e jo me zë. Zëri më duket te njerëzit pikëllim, hidhërim, xhelozi. Më shkurt, prej sot e tutje nuk më nevojitet zëri. Nuk e dua. Vetë emri im është zë, zë që buçet në çdo skaj. Nuk më duhen zëri e goja. Gojën e dua vetëm për të ngrënë e për të pirë, e jo për të folur.
Le të flasin me të dijetarët, të mençurit, shkencëtarët, shkrimtarët. Jo, gabim, shkrimtarët jo, se shkrimtar më i madh jam unë. Unë dalloj prej tyre sipas zërit të emrit, e jo sipas zërit të gojës me të cilën llomotitin e llomotitin sikur të jenë shtriganët më të mëdhenj të kësaj bote.

E mora revistën, nxora paratë, pagova dhe u nisa në shtëpi, u ktheva përsëri, përsëri te shitësi. E bleva edhe një. Po, pse të mos kem dy kopje! Kur këtu është shkruar emri im me shkronja të zeza e të mëdha. Sa e sa gazeta dhe revista kam paguar, e sot të mos e paguaj emrin tim të madh. Kush i madh? Emri apo unë? Ehe, sa budalla që jam. Po emri është unë, e unë jam emri. Pse, a mos ndryshon, a? Po, po. Mund. Të jetë emri shtëpi, kurse unë i zoti i shtëpisë. Mund të jetë edhe ajo, se emri është ai që më thirrin e më njohin të tjerët. Kurse Unë jam Unë. Unë jam vetë mendja, syri, goja, hunda, dora, trupi. E çka bëj me këto? Lodhem. E pse të lodhem? Le të lodhen të tjerët me emrin tim, e jo unë me emrat e tyre. Prandaj, më shumë e dua Emrin se Unin. Me Unin nuk të njeh kush, me Emrin po. Me Emër bëhesh i famshëm e gjenial. Emri rritet, rritet e rritet sa gërvishtësqielli që është në rrugët kryesore të Nju Jorkut. Më falni! M’u ndërprenë mendimet, sepse arrita në shtëpi. U ula në divan. U kollita për nder të emrit tim, tim të madh. E hapa revistën mu aty ku ishte emri im. Te punimi nuk me shkuan sytë. Nuk më interesonte punimi dhe shkrimi im. E vodha prej disa librave.

Nuk jam budalla të shkrij mendjen. Emri, emri më intereson, sepse të tjerët më njohin dhe më thirrin me emër. Për këtë e dua emrin. Një herë, dy herë, tri herë, katër herë… e shikoj emrin në revistë. Sa më shumë që e shikoj, aq më shumë rritet në revistë, bëhet më i madh e më i madh. Shkaku i emrit tim edhe revista është bërë ma e madhe dhe më e njohur. Aspak s’ më interesojnë emrat e tjerë në revistë. Vetëm emri im e bën revistën me vlerë dhe i jep peshë të madhe artistike. Me emrin tim do të krenohen jo vetëm redaksia e revistës X, por edhe gruaja ime, familja ime, shokët, të gjithë…! Qesharake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button