Turqi: Masa reciproke diplomatike ndaj Egjiptit

Pak kohë pasi Egjipti e ka dëbuar ambasadorin e Turqisë dhe ka paralajmëruar uljen e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë, Ankaraja sot ka reaguar me masa identike, duke shpallur se ambasadori egjiptian, i cili aktualisht nuk gjendet në Ankara, është shpallur person i padëshirueshëm.

Më herët gjatë ditës, Ministria e jashtme e Egjiptit ka njoftuar se të dërguarin e Turqisë e ka shpallur person të padëshiruar, meqë Ankaraja e ka vazhduar “përzierjen” në punët e Egjiptit.

Mëtutje, është thënë se Egjipti e ka ulur nivelin e raporteve me Turqinë në nivelin e të ngarkuarit me punë.

Në reagimin e Turqisë, presidenti Abdullah Gul, tha se shpreson se raportet me Egjiptin “do të ripërtrihen së shpejti”.

Vendimi i Egjiptit u bë pasi kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka kritikuar procesin gjyqësor kundër presidentit të përmbysur islamik, Muhammad Morsi, dhe pasi situatën në Egjipt ka përshkruar si “dramë humanitare”./rfe/

Lajme të ngjashme

Back to top button