Vashat e Çairit nuk arritën ta mposhtin Pelisterin

Ka përfunduar sezoni vjeshtor në Ligën e Parë hendbollistike të Maqedonisë, ndërsa ekipi KH Çairi nga Shkupi në fushë të saj ka pësuar disfatë të papritur nga KH Pelisteri nga Manastiri me rezultat 25:27.

Në një ndeshje shumë dramatike deri në sekondat e fundit, vashat e trajneres Semia Islami nuk arritën më shumë në një duel ku ishin të prekura nga lëndimet dhe sëmundja e gripit.
Edhe pse fillimisht ishte pritur një fitore shumë e lehtë, duke marrë parasysh kualitetin e dy ekipeve, kështu nuk doli sonte, kur në sallën e Shkollës Fillore “Adem Jashari” në Çair, KH Çairi e nisi shumë dobët ndeshjen, e në një moment kishin rezultat negativ me 11 gola diferencë, kur rezultati ishte 3:14. 

“E kam patjetër të potencoj se sot ishim shumë të hendikepuara pasi që shumica e lojtareve tona kishin lëndime dhe disa prej tyre ishin edhe me grip. Ne në një moment kishim mundësinë që të kthehemi në lojë pas një negative të madhe, prej 11 golave, por thjesht në këtë ndeshje kjo ishte maksimumi. Ne presim që sezonin pranveror ta fillojmë më mirë, pasi që këtë sezonë ne pretendojmë të jemi në mesin e më të mirëve, por jo edhe të futemi në Super Ligë. Na duhet pak më shumë punë, por dhe më shumë kushte për stërvitje, vashat tona punojnë vetëm dy herë në javë, që është shumë pak për të përballuar ekipet tjera”, ka thënë për “Portalb”, Mia Islami.

(Melisa Ajdini, kapitene e KH Çairi, duke shënuar nga pika e bardhë)

Një nga hendbollistet që u dallua më së shumti në këtë ndeshje, edhe pse luajti e sëmurë dhe me këmbë të lënduar ishte, Melisa Ajdini e cila mes tjerash tha se ka ndjerë shumë dhimbje por dha maksimumin në terren. “Jemi munduar shumë, duke marrë parasysh se ishim të sëmura, por besoni se kualiteti ynë me kundërshtaret tona ka shumë dallo, që u pa se në fund ata ku gëzuan shumë fitores, pasi që as që e kishin menduar se do të munden të na fitojnë. Ne shpresojmë që të vazhdojmë me loja të mira në sezonin pranveror dhe të arrijmë të jemi në mesin e ekipeve më të mira të Ligës së Parë”, ka përfunduar Melisa.

KH Çairi sezonin vjeshtor e ka përfunduar në pozitën e 7-të, por duke shpresuar që në pranverë me më shumë punë dhe me kushte më të mira, do të arrijnë të ngjiten në mesin e më të mirëve”. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button