Mbi 10 mijë migrantë presin nga Maqedonia hapjen e kufirit

Në qendrën transit të migrantëve në Gjevgjeli, përgjatë kufirit Maqedoni-Greqi, të enjten ka qëndruar ndihmës-sekretarja shtetërore e SHBA-së,Viktorija Nuland për t’u njoftuar nga afër me krizën e migrantëve, njofton REL.

Në kumtesën me shkrim të ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë theksohet se zonja Nuland është takuar me Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike Goranço Savovski.

“Në takim e sotëm është biseduar për situatën aktuale me krizën e migrantëve, zgjidhjet e mundshme për evitimin e situatave të tensionuara rreth ‘Rrugës Ballkanike’, regjistrim të migrantëve si dhe për të gjitha mënyrat e tjera që kanë të bëjnë me thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes vendeve të prekura nga kriza e migrantëve. Po ashtu është biseduar edhe për aspektin humanitar të krizës së migrantëve”, theksohet në komunikatën për media të Minstrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Ndërkohë në Idomeni të Greqisë, përgjatë kufirit me Maqedoninë vazhdojnë të qëndrojnë mbi 10 mijë migrantë me shpresë se Maqedonia do të hap kufirin i cili tanimë tre ditë tërësisht është i mbyllur.

Fatima Ahmed është nga jugu i Sirisë bashkë me tre fëmijët e saj tani dhjetë ditë është duke qëndruar në Idomeni. Ajo thotë se edhe kundrejt kushteve tejettë vështira mbetet në vendimin për të priturqë të hapet kufiri me Maqedoninë për të vazhduar rrugën drejt Gjermanisë.

“Do të mbetem këtu sepse dëshiroj të shkoj tek djali im I cili tanimë ka mbritur në Gjermani. Kam kaluar përmes rrugëve shumë të vështira deri sa kam arritur këtu. Nuk dua që të kthehem në ndonjë kamp prapa. Këtë gjë, e din qeveria maqedonase dhe qeveritë e shteteve të tjera andaj nuk e kam të qartë se pse nuk e hapin kufirin”, është shprehur për Radion Evropa e Lirë Fatima Ahmed.

Përderisa Vallaxh Baraj 23 vjeç, po ashtu nga Siria, thotë se kushtet e vështira në Idomeni kanë bërë që ai me familjen e tij të jetë i gatshëm të largohet nga ky kamp për tu transferuar në ndonjë kamp tjetër.

“Nëse kampi do të jetë i mirë atëherë unë me familjen time do të shkoja atje, por njëherë duhet të sigurohem personalisht, dhe pastaj do të kthehem për të marrë familjen, edhe atë me kusht që kampi të jetë në afërsi këtu, sepse të kthehemi në Athinë pothuajse është e pamundur”, thotë ai.

Ndërkohë as gjatë ditës së enjte autoritetet zyrtare të Maqedonisë nuk kanë dhënë detaje se cili do të jetë fati i migrantëve të cilët ndodhen në qendrën transituese në Tabanovc përgjatë kufirit Maqedoni – Serbi, vetëm se kanë përsëritur qëndrimin se Maqedonia do t’i ndërmerr të gjitha masat rreth çështjes së migrantëve në pajtueshmëri me vendimet e Bashkimit Evropian.

“Kërkojmë nga organet kompetente të shtetit që një pjesë e migrantëve të cilët ndodhen në qendrën tansituese në Tabanovc, i cili është i stërngarkuar dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të strehuar të gjithë këta migrantë, të transferohen në qendrën pranuese të migrantëve në Gjevgjeli e cila për momentin është tërësisht e zbrazët”, thekson Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare LEGIS.

Në territorin e Maqedonisë as të enjten nuk është lejuar të hyjë asnjë migrant.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button