Epopetë kushtuar liderëve nuk janë lajme

[Recension: “Politikani i hekurt, Menduh Thaçi sot mbush 51 vjeç”]

Jo rastësisht, gjatë faqosjes së gazetave është menduar që tekstet në gazetë të ndahen në kategori, apo rubrika. Krahas kësaj, ndarja e teksteve në zhanre mediatike është e një rëndësie të veçantë për etikën e këtij profesioni. Me realizimin e këtyre kategorizimeve, ju arrini që t’i sqaroni publikut se për çfarë teksti apo përmbajtje bëhet fjalë. A bëhet fjalë për lajm, për koment, opinion, reportazh, kronikë të zezë, njoftim, hapësirë reklamuese, e kështu me radhë. Apo, duke bërë ndarjen e rubrikave, ju arrini që publikut t’i ofroni lajme nga fusha e politikës, ekonomisë, sociales, kulturës, argëtimit e tjerë. Gjithashtu edhe mediat online, të njohura ndryshe si portale, kanë trashëguar këtë rregull gazetaresk me qëllim të ruajtjes së ndershmërisë dhe transparencës ndaj publikut. Tani shtrohet pyetja: Çfarë ndodh nëse një material të caktuar, që nuk ka lidhje me atë që definohet si lajm, e vendosim në rubrikën e lajmeve dhe si të tillë tentojmë t’ia shesim publikut, sikur të ishte një lajm i zakonshëm si gjithë të tjerët? Duhet theksuar se publiku është shumë i zgjuar. Mund ta mashtroni ndoshta njëherë-dyherë, por jo gjithmonë. Në një moment të caktuar, do të vëreni se niveli i lexueshmërisë apo numri i klikimeve për përmbajtje të tilla ka filluar të shënojë rënie.

Recension: “Politikani i hekurt, Menduh Thaçi sot mbush 51 vjeç”Linku për te artikulli origjinal: Politikani i hekurt, Menduh Thaçi sot mbush 51 vjeç

Data dhe koha e publikimit: 03.03.2016, ora 12:24

Data e recensionit: 07.03.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Nëse orvatemi të identifikojmë tekstin që është marrë në analizë, mund të thuhet se bëhet fjalë për një lloj ‘mini-monografie’ kushtuar liderit të PDSH-së, Menduh Thaçit. A ka diçka që nuk shkon këtu? Po, sepse përmbajtja është botuar në kategorinë e lajmeve. Arsyeja e redaksisë për të botuar këtë tekst është ditëlindja e Thaçit (3 marsi), gjë që është shumë diskutabile nga aspekti profesional. Me këtë rast, në pika të shkurtra, aty përmenden disa momente nga biografia e tij politike. E gjithë kjo bëhet në formën e një “epopeje”, ku lideri i PDSH-së përshkruhet si një njëri shumë i suksesshëm dhe pa gabime në fushën politike. Po të merrej dhe të analizohej figura e tij në një dimension më gjithpërfshirës, atëherë sigurisht se mund të dilte një lloj analize shumë e mirë e kushtuar këtij personazhi politik. Mirëpo, të mos harrojmë, përsëri nuk do të justifikohej që e njëjta të botohej në rubrikën e lajmeve.

Aty, ndër rreshta, përmenden edhe meritat që ka i pasur Menduh Thaçi sipas autorit në punësimin e shqiptarëve në një kohë kur kjo gjë ka qenë shumë e vështirë. Por, përshkrimi e lartëson Thaçin në përmasat e një “mbinjeriu”, duke thënë se: “Të punësuarit shqiptarë që u kyqën në institucione para 15 viteve, edhe sot e kësaj dite mund të vërehen nga një pjesë e madhe e qyteteve si Tetova dhe Gostivari dhe vende të tjera të cilët që në orën 8 të mëngjesit udhëtojnë në drejtim të Shkupit duke i bllokuar të gjitha rrugët.” Fraza të tilla ndonjëherë të fusin frikën, me vetë tentimin për të të shtyrë të mendosh se po të mos ishte Menduh Thaçi, sikur pretendon autori i këtij teksti, shqiptarët e qyteteve të tjera brenda vendit, edhe sot e kësaj dite nuk do ta shihnin me sy Shkupin dhe se falë tij, ata panë dritën e punësimit nëpër institucione të ndryshme. Këtë vlerësim secili mund ta perceptojë në mënyrë të ndryshme, të çuditshme sigurisht, por më e ëmbla që mund të thuhet në këtë rast është: Vallë e keni seriozisht ?!

Në kodin e etikës së gazetarëve të Maqedonisë thuhet:

Çdo lloj publikimi komercial, si dhe propagandë politike që nuk janë të veçuara saktë vlerësohen si shkelje e rëndë e standardeve profesionale

Ndërkaq, qershia mbi tortë, është vetë urimi për ditëlindjen kushtuar liderit të PDSH-së. Dhe kujdes, urimin nuk e bën gazetari në emrin e tij personal, por në emër të të gjithë stafit të agjencisë së lajmeve që ka botuar këtë tekst. Nuk e di për ju, por mua gjëja e vetme që më kujtohet në këto momente është zëri karakteristik i Frank Sinatra-s dhe kënga “Happy birthday to you”.

Po lajmi ku ngeli? Po misioni i gazetarisë ku humbi?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button