Liqeni i Treskës kalon në pronësi të Komunës së Sarajit

Qeveria mori vendim që Qendra rekreative Treska të kalon në pronësi të Komunës së Sarajit. 

Këtë e konfirmoi sot për Alsat zëdhënësi qeveritarë Muhamet Hoxha. Vendimi është mirëpritur edhe nga kreu i Sarajit Bekim Murati, sipas të cilit me këtë është realizuar një kërkesë e kamotshme e komunës së Sarajit. 

“Me qendrën rekreative sportive Treska në të ardhmen do të menaxhoj pikërisht Komuna e  Sarajit. Qeveria e RM-së në seancën e fundit ka marrë vendim në të cilën e kalon në pronësi Qendrën rekreative Treska, komunës së sarajit. Njëkohësisht në të njëjtën seancë qeveria e RM-së obligon Komunën e Sarajit që të përgatit edhe planin detal urbanistik të kësaj qendre  dhe njëkohësisht i rekomandon që të filloj procedurën për marrjen e lejes në ministrinë e mjedisit  dhe planifikimit hapësinor për menaxhim me ujërat, pikërisht për menaxhim me liqenin”, deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës së Qeverisë.

“Për komunën e Sarajit ky vendim i qeverisë padyshim se është një  vendim shumë i rëndësishëm i cili do të jetë shtytës i zhvillimit për vetë komunën e Sarajit. Ne si komunë e sarajit planifikojmë që në periudhën e ardhshme në mënyrë dinjitoze në forma të ndryshme të prezantojmë këtë kompleks dhe këtë qendër rekreative sportive përpara investitorëve  dhe biznesmenëve  si vendor ashtu edhe ndërkombëtarë”, u shpreh Bekim Murati, kryetar i Komunës së Sarajit.

Ndërkaq Liqeni i Treskës është ndërtuar në vitin 1978 dhe përfshin sipërfaqe prej 4500 metra katrorë,  prej të cilëve një pjesë janë sipërfaqe e gjelbër ndërsa pjesa tjetër i takon liqenit.

Lajme të ngjashme

Back to top button