Alarmimi spekulues për rrezik nuk është etik

[Recension: “Prindër kujdes fëmijët, fillojnë skenaret parazgjedhore të rrahjes së nxënësve”]

Incidentet ndëretnike, herë pas here kanë qenë në qendër të vëmendjes së mediave tona, por jo secili gazetar ka respektuar normat etike të raportimit për ngjarjet dhe dukurite, për të mos ndikuar më shumë në smadhimin e përmasës së tyre. Në këtë lajm, nuk jepet asnjë fakt apo dëshmi se bëhet fjalë për incident ndëretnik, dhe aq më pak ka qenë e nevojshme që autori të alarmojë në këtë mënyrë prindërit për rrezikun që, sipas tij, u kanoset fëmijëve të tyre.

Lajm - Prinder kujdes femijet, fillojne skenaret parazgjedhor te rrahjes se nxenesveLinku deri te artikulli origjinal: “Prindër kujdes fëmijët, fillojnë skenaret parazgjedhore të rrahjes së nxënësve”

Data dhe koha e publikimit: 06.03.2016, 17:42

Data e recensionit: 06.03.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Informacioni që ka shërbyer si pikënisje për autorin vjen nga Sektori i Punëve të Brendshme, i cili njofton për një sulm të krzer nga tre persona, ku kanë pësuar disa të mitur. Me aq sa jepet në tekst, ky është i vetmi informacion zyrtar që vjen nga MPB-ja.

“Siç njoftoi SPB në Shkup, sulmi në polici është denoncuar nga 49-vjeçari me inicialet E.S, i cili ka thënë se të shtunën rreth orës 21, djali i tij 15 vjeçar bashkë me shokët e tij është sulmuar nga tre persona, njëri prej të cilëve kishte shkop “bejzbolli”.”

Autori i ka shtuar tekstit një dozë senzacionalizmi, duke e bërë situatën alarmante që në fillim me titullin e dhënë, duke stimuluar panik të panevojshëm. Themi të panevojshëm, sepse teksti bazohet në informacione të pakta, të cekëta dhe të pamjaftueshme që autori të arrijë në përfundimin që ka ofruar.

Krahas kësaj, autori nuk ka prezantuar asnjë fakt tjetër se bëhet fjalë për incident ndëretnik. MPB-ja nuk ka dhënë informacione mbi nacionalitetin e të përfshirëve, prandaj, në mungesë të fakteve tjera, duket se autori është “detyruar” që të hamendësojë për karakterin e incidentit, e bile edhe të gjykojë, duke bere me gisht kah të “dyshuarit e zakonshëm”.

“Janë sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur në lagjen Gjorçe të Shkupit, të njohur si lagje ku mbisundojnë nacionalistët maqedonas, përkrahës të zjarrtë të partisë në pushtet VMRO-DPMNE.”

Gazetari merr rolin e një komentuesi dhe thotë se këto raste në Maqedoni janë bërë zakon sidomos përpara zgjedhjeve. Mirëpo, përderisa bën lidhjen mes këtyre dy gjërave, incidenteve dhe zgjedhjeve, autori nuk ofron argumente as ka cituar ndonjë burim që do të sqaronte logjikën e kësaj lidhjeje dhe do të bënte pohimin  më të besueshëm.

“Skenari në të gjitha rastet është i njëjti: Njëherë huliganët maqedonas, për të cilët pa shumë hamendje dihet se janë të kontrolluar nga VMRO-ja në pushtet, rrahin fëmijë shqiptarë, qoftë në pjesë të qendrës së qytetit, apo në autobusët urbanë. Pastaj, si përgjigje, grupe të rinjsh shqiptarë ua kthejnë duke sulmuar dhe rrahur në të njëjtën mënyrë fëmijë të pafajshëm maqedonas.”

Paragrafi që sapo cituam ka një defekt etik edhe më serioz. Autori etiketon huliganët (indirekt edhe gjithë lagjen) si të kontrolluar nga VMRO-ja dhe nuk e ka parë të arsyeshme që për këtë të konsultojë ndonjë burim ose të japë argumente dhe dëshmi që do ta mbronin këtë ide. Në këtë mënyrë, po që se thjeshtësohet teza e shkrimit, i bie se VMRO-ja urdhëron të rrihen fëmijët shqiptar.

Permendja e perkatësisë etnike, kombëtare, politike, gjinore ose seksuale lejohet vetëm nëse është e rëndësishmë për të kuptuar në tërësi storien.

Gazetari duhet të jetë i vetëdishëm për temat e ndieshme etnike, kulturore, fetare dhe seksuale dhe t’i trajtojë në pajtim me ato. – thuhet në Kodin etik të gazetarëve të Maqedonisë.

Mungesa e fakteve e bën shkrimin të mos merret seriozisht. Ai nuk është gjithpërfshirës, nuk pasqyron mendimin e viktimave, banorëve, e as edhe të institucioneve kompetente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button