Përpjekja e dytë e Blushit, prezantimi i “Lëvizjes për Demokraci”

Propozimi Edi Ramës për t’i dhënë fund sherrnajës duhet apo nuk duhet të ketë zgjedhje për kryetarin e PS nëpërmjet një referendumi, do të merrte refuzimin e Ben Blushit, njofton TCH.

“Mendoj se është e qartë se po shkojmë drejt një partie me dy kate të drejtash. Një njeri ka më shumë të drejta se gjithë të tjerët të marrë bashkë. Po shkojmë drejt një absurdi sipas të cilit nuk duhet respektuar statuti në fuqi, por duhet respektuar statuti që nuk ka hyrë ende në fuqi”, deklaroi Blushi një ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS.

Por Blushi së bashku me 7 antarë të Asamblesë do ta vijonë betejën e tyre brenda PS-së nëpërmjet “Lëvizjes për Demokraci në PS”, platformën e të cilës e prezantoi Maqo Lakrori.

“E ndërmorëm këtë nismë me qëllim që ta rikthejmë, ta vitalizojmë demokracinë e brendshme në PS. Sepse sipas mendimit tonë, ka probleme që duhen kapërcyer e duhen zgjidhur. Nga eksperienca shumëvjeçare në PS jam i bindur se ku ajo ka funksionuar në mënyrë demokratike në të gjitha strukturat e niveleve të saj dhe rezultatet për të cilat krijohet një parti kanë qenë më të mira”, thotë Lakrori.

Por kush do të jetë e ardhmja e kësaj lëvizjeje në një kohë kur nuk kanë munguar hamendësimet e kthimit në një parti politike?

“Do të organizojmë takime dhe komunikime të drejtpërdrejta në qytete, në fshatra dhe në emigracion. Mendimi i socialistëve edhe më gjerë se kaq, progresistëve dhe mendimi mbarëpopullor nëpërmjet këtij kontakti që do të përkojë me një periudhë relativisht të gjatë kohe. Është ai mendim që është më i plotë se ai mendim që kemi në një grup njerëzish për vazhdimin e procesit. Ai mendim do të përcaktojë vijimin e këtij procesi”, thotë Lakrori.

“Lëvizja për Demokraci në PS” është tentativa e dytë e Ben Blushit nëpërmjet këtij formati, pas “Lëvizjes për Mendimin Ndryshe”, nga e cila u largua. Por a do ta çojë përpara Blushi këtë lëvizje? Kjo mbetet për t’u parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button