Bejta e shëtiti ambasadorin austriak nëpër Gostivar

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta priti në takim ambasadorin e Austrisë në vendin tonë, Thomas Michael Baier.

Qëllimi i vizitës së ambasadorit austriak ishte promovimi i librit të historianit austriak Ëolfgang Straub, kushtuar konstruktorit të hekurudhës së parë malore në Austri, gjeniut të madh me origjinë shqiptare, Karl Gega.

Gjatë takimit, Bejta dhe ambasadori Baier biseduan edhe për tema tjera dhe për mundësinë e realizimit të ndonjë projekti në komunën e Gostivarit nga ana e Ambasadës së Austrisë.

“E njoftova ambasadorin me historikun e komunës së Gostivarit, se Gostivari është një prej qyteteve më të mëdha në vend. Biseduam edhe për reformat që i bëjmë në arsim. Biseduam për mësimin e gjuhës gjermane nëpër shkollat fillore dhe të mesme. I treguam se qytetarët e Gostivarit kanë respekt të veçantë ndaj popullatës austriake, sepse në momentet më të vështira na kanë ndihmuar dhe një pjesë e mirë e qytetarëve tanë punojnë në Austri, veçanërisht në Vjenë”, tha kryetari Nevzat Bejta

Ambasadori Thomas Michael Baier, falënderoi kryetarin Bejta për mikpritjen.

“Kam nderin që jam sot këtu në këtë festë të madhe për shqiptarët. Tema e takimit tonë ishte promovimi i librit të një historiani shumë të madh. Kemi gjetur mënyrë se si do ta vazhdojmë bashkëpunimin. Vizita ime ka prapavijë historike. Bëhet fjalë për një pionier teknik me emër Karl Gega”, theksoi ambasadori, Thomas Baier.

Kryetari Bejta i dhuroi ambasadorit Baier një dhuratë me simbolin e Komunës së Gostivarit “KULLËN E SAHATIT”.

Bejta dhe Baier vizituan më pas edhe disa nga pjesët e qytetit të Gostivarit, Kullën e Sahatit dhe Shtëpinë e Beut.

Lajme të ngjashme

Back to top button