Jakup Krasniqi: Nuk mund të krahasohet zgjedhja e Thaçit president me rastin e Pacollit

Edhe pse janë bërë pesë ditë që kur opozita e ka dërguar çështjen e zgjedhjes së presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit ende nuk e ka dhënë opinionin e saj, raporton Indeksonline.

Analistët kishin deklaruar se seanca e jashtëzakonshme e zgjedhjes së presidentit të tanishëm Hashim Thaçi ngjason me atë të vitit 2011 kur Behgjet Pacolli u zgjedh president por nuk i zgjati shumë pasi që dha dorëheqje sepse kishte shkelur nenin 86 të Kushtetutës, i cili thotë se zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Por kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Jakup Krasniqi tha për Indeksonline se në rastin e fundit, në Kuvend ishin dy të tretat e deputetëve, për çka nuk mund të krahasohet më rastin e Pacollit.

“Në rend të parë, unë nuk e kam shkelë Kushtetutën, unë kam proceduar sipas kërkesës së koalicionit qeverisës. Edhe atëherë ju kam thënë se nuk ka asnjë arsyeje që Presidenti të zgjidhet me Seancë të Jashtëzakonshme, kur mund të zgjidhet me seancë të rregullt. I kam njoftuar se për fillimin e seancës për zgjedhjen e Presidentit në dy rundet e para duhet të jenë brenda në seancë së paku 80 deputet. Por, koalicioni i ka bërë hesapet ndryshe dhe nuk u ka interesuar se çka po thotë Kushtetuta. Në rastin e fundit, në Kuvend ishin dy të tretat e deputetëve, për çka nuk mund të krahasohet më rastin që po e cekni” , tha Krasniqi.

Më tej Krasniqi tha se për këto raste ka dallime sa i përket asaj që shkruan në Kushtetutë.

“Dallime ka, sa i përket asaj që shkruan në Kushtetutë, por tani kemi një Aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili po kërkon që në Kuvend të jenë 120 deputetë, mungesa e deputeteve duhet të arsyetohen. Por kjo është çështje e eksperteve” , tha Krasniqi për Indeksonline.

Në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese thuhet se të tre autorizohen që në emër dhe llogari të deputetëve të nënshkruar në këtë prokurë, të ndërmarrin të gjitha veprimet procedural lidhur me parashtrimin e kërkesës për Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 05-V-233, të datës 26 shkurt 2016, “për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.

Ndërsa zëdhënsi për informim nga Gjykata Kushtetuese, Veton Dula tha për Indeksonline se kjo lëndë tashmë është duke u trajtuar me prioritet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Vendimi do të merret brenda afateve ligjore dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me nenin 43.3 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, si dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese. Sapo të merret vendimi, Gjykata Kushtetuese do të informojë me kohë opinionin dhe palët e përfshira në lëndë, dhe vendimi do të publikohet edhe në uebfaqen zyrtare të Gjykatës” , tha Dula.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button