Aty ku ju dhemb më së shumti

Na akuzojnë që vetëm dijmë të kritikojmë, të akuzojmë. Deklarativisht sipas tyre të gjithë paskemi lirinë të shprehemi ashtu si e ndjejmë më të arsyeshme, megjithëse sa herë që i kritikojmë dhe sa herë që flasim të vërtetat e mëdha, the hard truths, na quajnë rebelë dhe shpërdorues të të drejtës të garantuar me kushtetutë të shprehjes së lirë. Na thonë që është shumë e lehtë të kritikosh dhe të akuzosh politikanët dhe politikëbërjen e tyre. Sikur janë të amnestuar nga e vërteta. Sikur përfaqësuesit e partive politike janë ata që bëjnë punën e vështirë, ndërsa ne të tjerët që kritikojmë jemi ata që kemi punën e lehtë të shprehjes nga një pozitë neutrale.

Por lindën pyetja, nëse ne që fshihemi pas kompjuterit dhe që nuk kemi asnjë fuqi vendimmarrjeje e paskemi të lehtë, atëherë cka të themi për këta politikanë që duke patur nën kontrollin e vet tërë shtetin, të gjithë aparatin veprues institucional nuk bëjnë asgjë sic duhet. Sa mund të kërkohen zgjidhje nga ne që nuk e kemi fuqinë në dorë dhe sa duhet kërkuar nga pala tjetër. Duke patur në dorë dhe duke vepruar me fuqinë që ta jep pozita e përfaqësuesit politik të një elektorati që të ka dhënë votën, duke kontrolluar institucionet shtetërore dhe parlamentin, duke patur fuqinë e fjalës dhe adekuitetin e veprimit, a nuk është më e vështirë të mos veprohet sesa të punohet për demokratizimin e shtetit dhe mirëqenies së të gjithëve që jetojnë në të. Pse ju duket më e logjikshme të rrijnë duarkryq, të mos inicojnë dhe të mos shtyjnë përpara proceset që do të na bënin të gjithëve më të lumtur, dhe që do të na e mbyllnin gojën neve që vetëm dijmë të kritikojmë dhe të akuzojmë.

Neglizhenca e BDI-së ndaj interesit të përgjithshëm është frapante. Ekziston një termin më i përshtatshëm, për të cilin nuk arrij dot të gjej përkthim të plotë në gjuhën shqipe, përvec zvarritjes. Termi që dua të përdor dhe që definon BDI-në e viteve të fundit është PROCRASTINACION. Është dukuria e shmangies nga veprimi drejt realizimit të një detyre që DUHET kryer; kryerja e shumë veprimeve tjera që janë të parëndësishme duke i lënë punët e rëndësishme për një të ardhme të pacaktuar.

Si rrjedhojë sot ne merremi me kryqin e Butelit në vend që të merremi me diskriminimin e shqiptarëve. Sot ne merremi me shqiponjën në një udhëkryq tangent të Cairit në vend që të merremi me pashpresën që mbizotëron shpirtërat e shqiptarëve dhe që i shtyn të largohen nga ky vend. Proklamojnë hapjen e një univerziteti të ri shqiptar në Shkup në një kohë kur klasët janë gjysëm të zbrazura nga nxënësit shqiptarë dhe kur reformat e kota e të vazhdueshme të udhëhequra nga një ministër shqiptar janë treguar si të dështuara dhe që kanë ulur rezultatet e ngritjes arsimore të fëmijëve dhe rinisë tonë. Kërkojnë poste të larta shtetërore si zëvendës president shteti apo kryetar parlamenti shqiptar në një kohë kur zëvendëskryetarët e parlamentit shqiptarë nuk janë parë të drejtojnë ndonjë seancë parlamentare, por edhe sikur kjo të ishte e rëndësishme nuk e kuptojnë që lufta e tyre duhet bërë në drejtim të mbrojtjes së shqiptarëve nga akuzat aluzive dhe të pabaza për terrorizëm dhe jo në sigurimin e një posti përmendoresk statik joproduktiv. Duhet të mendojnë se si duke patur në dorë institucionet, duke qenë pjesë e tyre në të gjitha digasteret, ata nuk janë të aftë të mbrojnë popullatën shqiptare nga fyerjet e përditshme që ju bëhen shqiptarëve nëpër ato institucione, burgosjen dhe fajësimin e të rinjve shqiptarë dhe për stereotipizimin e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Pse vihen në mbrojtje të simboleve kombëtare në të njejtën kohë kur kanë lejuar margjinalizimin e interesave socio-ekonomike të shqiptarëve në këtë shtet dhe punojnë pak, për të mos thënë hic, në mbrojtjen e të drejtës natyrore të shqiptarit për të qenë i barabartë me maqedonasit.

Ja ku i keni zgjidhet, ja ku i keni pikat e fokusit në punën Tuaj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button