Egjipti dëbon ambasadorin turk, shkak kryeministri Erdogan

Egjipti i ka kërkuar ambasadorit turk që të largohet nga vendi. Sipas BBC, ministri i Jashtëm egjiptian fajësoi ndërhyrjet e vazhdueshme të Turqisë në punët e brendshme si shkak për këtë vendim.

Në një njoftim për shtyp thuhet se përfaqësimi diplomatik i Turqisë është ulur në nivelin e të ngarkuarit me punë. Egjipti e ka tërhequr ambasadorin e saj nga Turqia. Turqia ka kritikuar rrëzimin e presidentit islamik, Mohammed Morsi.

Egjipti është në trazira që kur Morsi u rrëzua nga pushteti në korrik. Mijëra anëtarë të Vëllazërisë Myslimane janë arrestuar nga autoritetet e përkohshme, që thonë se po luftojnë terrorizimin. Qindra njerëz janë vrarë në përplasje me forcat e sigurisë.

Turqia ka qenë një kritike e zëshme e veprimeve ushtarake dhe puçit ndaj Morsi-t. Vendimi i Kajros për të dëbuar ambasadorin Huseyin Avni Botsali vjen një ditë pasi kryeministri turk, Recep Tayyip
Erdogan bëri thirrje për lirimin e zotit Morsi. Erdogan, ashtu si Morsi, i ka rrënjët e tij tek islami politik. Ankaraja dhe Stambolli kanë mirëpritur një seri aktivitetesh të Vëllazërisë Islamike ndërkombëtare./EP

Lajme të ngjashme

Back to top button