Presidenti kinez shtrëngon pushtetin

Xi Jinping do të vërë njerëz të afërt në poste të rëndësishme për të zgjeruar pushtetin e tij dhe për t’iu kundërvënë kundërshtarëve të reformave të prezantuara nga partia këtë muaj.

Presidenti kinez, Xi Jinping, planifikon që të ngritë në detyrë një varg aleatësh të tij në muajt e ardhshëm, si pjesë e një riorganizimi të madh të Partisë Komuniste, të qeverisë dhe të ushtrisë, kanë thënë tri burime të veçanta që kanë lidhje me udhëheqjen kineze, sipas “Reuters”.

Riorganizimi do t’i mundësonte presidentit Xi, i cili është edhe shef i partisë dhe i ushtrisë, të zgjeronte pushtetin e tij dhe t’i kundërvihej kundërshtarëve të reformave të guximshme të prezantuara këtë muaj në plenumin e tretë të udhëheqësve të partisë, kanë bërë të ditur burimet.

Reformat, të cilat kanë përfshirë një zbutje të politikës “veç një fëmijë” dhe lejimin e tregjeve financiare që të luajnë një rol më të madh në ekonomi, janë parë si një indikacion i asaj se sa i aftë ka qenë Xi për të konsoliduar pushtetin e tij vetëm një vit pas zgjedhjes si shef i partisë.
“Tani që ka përfunduar plenumi i tretë i partisë, Xi do t’i ngritë në dytë njerëzit e tij të afërt për të punuar me të dhe për të zbatuar politikat dhe reformat e tij”, ka thënë njëri prej burimeve.

Ndryshimet do të ndodhin para, gjatë apo pas sesionit të plotë vjetër të parlamentit, në marsin e ardhshëm, kanë thënë burimet. Li Zhanshu, 63-vjeçar, njëri prej njerëzve më të afërt të Xisë, është favorit për të zëvendësuar Han Zhengun, 59-vjeçar, si shef i partisë në Shangai, kanë bërë të ditur burimet. Udhëheqësi i partisë në qytet është në një rang më të lartë sesa prefekti i qytetit.

“Hang Zheng do të shkojë në Pekin”, ka thënë një burim i dytë për “Reuters”, i cili, si të tjerët, ka kërkuar të mos identifikohet. Burimet kanë thënë se Han pritet të emërohet në një post të lartë në komisionin e reformave që Xi është duke e krijuar për të mbikëqyrur procesin e reformave.
Duke përjashtuar ndonjë veto të minutës së fundit nga Jiang Zemin, ish-presidenti kinez që ende ushtron ndikim politik, Li do të merrte postin partiak në Shangai, me prioritet mbikëqyrjen e zhvillimit të zonës së tregtisë së lirë në qytet. “Jiang është duke shpresuar se Han Zheng mund të qëndrojë për t’u kujdesur për interesat e familjes së tij dhe të aleatëve”, ka thënë një burim i tretë.

Han është emëruar shef i partisë në Shangai në nëntorin e kaluar. Ai ka shërbyer si prefekt i qytetit në periudhën 2003-2012, duke i ndihmuar Xisë gjatë kohës sa i ka qenë shef i partisë atje. Han është i pranueshëm për të gjitha – për Xinë, Jiangun dhe paraardhësin e Xisë, Hu Jintao.

Shangai ka qenë tradicionalisht një qendër përgatitore për udhëheqësit e lartë. Ish-shefat e partisë në Shangai, të cilët më pas janë ngritur në Komitetin Qendror, përfshijnë Xinë, Jiangun, ish-kryeministrin Yhu Rongji, ish-shefin e parlamentit Wu Bangguo, zëvendëskryeministrin e ndjerë Huang Ju, dhe kryekëshilltarin aktual të parlamentit, Yu Zhengsheng. “Riorganizimi po bëhet për ngritjen eventuale të Li Zhanshusë në Komitetin Qendror”, ka vlerësuar analisti Zhang Lifan.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button