Filloristët befasojnë banoret e shtëpisë së pleqve për “8 Mars”

Sot, me rastin e “8 Marsit” filloristë të sh.f. “Koço Racin” dhe sh.f. “Naim Frashëri” u dhuruan kartolina banoreve të shtëpisë së pleqve “Zafir Sajto” në Kumanovë. Banoret e moshuara i gëzoi shumë vizita e fëmijëve, shfaqja e tyre e shkurtër dhe kartolinat e punuara me kujdes. Ndërkohë po kaq të gëzuar ishin edhe vetë filloristët.
8 Mars, Kumanove

 

“Tradicionalisht ne si shkollë fillore ‘Koço Racin’ bashkë me sh.f. “Naim Frashëri” me rastin e projektit “Integrimin multietnik në arsim” sot i vizituam pleqtë në shtëpinë e pleqve, paraqitëm një shfaqje të thjeshtë dhe ua uruam festën. Kënaqësia më e madhe ishte buzëqeshjet e tyre.”-tha Olivera Shutovska, mësuese në sh.f. ‘Koço Racin’.

“Në këtë projekt janë kyçur 9 meshkuj dhe 9 vajza nga shkolla jonë dhe 9 meshkuj dhe 9 vajza nga shkolla maqedonase. Nxënësit kanë kaluar shumë mirë, kanë bashkëpunuar shumë mirë mes vete dhe janë shoqëruar, pasi është dashur të bashkëpunojë një nxënës shqiptar me një maqedonas.”-sqaroi Lindita Xheladini, mësuese në sh.f. ‘Naim Frashëri’, “Është ndjenjë e shkëlqyeshme: Fëmijët i punuan vetë kartolinat për t’i gëzuar pleqtë.”

“Është shumë gjë e mirë kjo që bënë fëmijët. Më pëlqeu shumë poezia dhe vallëzimi. I kam dashur të dyja dhe me to jam marrë vetë sa isha e re.”-deklaroi një 77 vjeçare, banore në shtëpinë e pleqve, “Kartolina më pëlqeu jashtë mase, sepse ajo që punohet vetë është gjithmonë më e vlefshme sesa diçka që mund të blihet e gatshme.”

8 Mars, Kumanove

Përshtypjet rreth projektit të realizuar për Portalb i shprehën vetë filloristët.

“Po ndjehem shumë e lumtur që këta gjyshe po gëzohen shumë me dhuratat që i kemi bërë me duart tona, me shumë dashuri”-tha Eljesa Aliti, “Dhe më vjen mirë që jemi njoftuar me nxënësit maqedonas dhe kemi punuar bashkë .”

“Jemi njoftuar me nxënës maqedonas, shumë mirë kemi kaluar. Tani po ndjehem mirë, por njëkohësisht edhe më vjen keq për to, sepse janë të vetme, nuk i kanë familjet këtu.”-tha Hamza Alimi.

“Ishte kënaqësi për mua të bashkëpunoja me nxënës të sh.f.’Naim Frashëri’.”-tha Nikolla Tomovski, “Tani po ndjehem shumë mirë, dhuratat i pranuan me gëzim, biles njëra qau.”

“Ndjehem shkëlqyeshëm. I bëmë disa gjyshe të ndjehen të lumtura, pasiqë iu dhuruam kartolina dhe dashuri të madhe.”- tha Andrej Cvetkovski.

8 Mars, Kumanove

“Sot është ditë shumë e bukur, është dita e nënave tona, e gjysheve tona. Sot të kujtohemi se të gjitha këto shfrytëzuese të cilat qëndrojnë në shtëpinë e pleqve meritojnë çdo nder dhe respekt.”-deklaroi  Rosica Mitiq, e punësuar sociale në IPK Shtëpinë e pleqve “Zafir Sajto”, Kumanovë, “Festimi i 8 Marsit, më duhet të potencoj, është gjëja më emocionuese e cila u ndodh shfrytëzueseve. Mund të shihni edhe lot tek gjyshet tona, sepse kur vijnë fëmijët ua kujtojnë atë që veçmë e kanë përjetuar. Vizita e sotshme i emocionoi pozitivisht dhe i falenderoj të gjithë në emër të tyre.”

Mitiq shtoi se në shtëpinë e pleqve kujdesen që ditët të mos jenë të bezdisshme dhe se kanë program për organizim të aktiviteteve ditore./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button