Gul: Islamofobia vjen si rezultat i keqinterpretimit të Islamit

Presidenti Gul në fjalën e tij në samitin e 29 të liderëve të Komisionit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtisë (ISEDAK ) në kuadër të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OKI) në Stamboll, tha se muslimanët duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha në gjetjen e zgjidhjes për problemet dhe sfidat në botën islame.

Ai theksoi se që nga themelimi i saj, OKI ka kontribuar në masë të madhe për bashkëpunimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve anëtare të saj.

Gul theksoi se bashkëpunimi midis vendeve në botën e sodit është bërë edhe më i rëndësishëm për shkak të sfidave të mëdha politike dhe ekonomike që po përballet bota.

“Kriza ekonomike botërore ka goditur një pjesë të rëndësishme të botës. Çdo ditë rritet hendeku midis të pasurve dhe të varfërve. Çdo ditë na trishtojnë pamjet dhe lajmet e reja rreth ngjarjeve të përgjakshme”, tha Gul.

“Islamofobia është bërë problem serioz në botë. Disa forca të errëta duan përmes aktiviteteve terroriste të dëmtojnë vlerat e vërteta islame. Ne duhet të luftojmë kundër atyre që barazojnë terrorizmin me vlerat e dashurisë, bashkëpunimit, dialogut dhe tolerancës në Islam. Në Islam nuk ka vend për terrorizmin dhe aktivitetet e lidhura me të”, tha Gul.

Ai tha se vendet muslimane duhet të gjejnë një zgjidhje për konfliktin në Siri, për të ndalur vrasjen e civilëve të pafajshëm.

“Lufta në Siri deri tani ka vrarë më shumë se 100.000 njerëz. Prandaj, ne të gjithë kemi përgjegjësi ndaj krizës siriane. Nëse muslimanët nuk gjejnë një zgjidhje për problemet në botën islame, të tjerët do t’i ofrojnë zgjidhjet e tyre. Detyra jonë është që së pari t’i pastrojmë gjërat në shtëpinë tonë”, tha Gul.

Ai theksoi se në Islam nuk ka vend për terrorizmin dhe vrasje të njerëzve të pafajshëm.
Kryetari i Organizatës së Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu tha se OKI është bërë një organizatë e rëndësishme dhe e besueshme për promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë. /Ekuiliber.com

Lajme të ngjashme

Back to top button