Në pritje të ndryshimeve

Thanë se LSDM-ja ka pranuar që zgjedhjet të mbahen më pesë qershor, thanë se VMRO DPMNE-ja i ka pranuar propozimet e Vanhautes për rregullimin e mediave. Disa thanë se gjithçka është në rregull, të tjerët shprehën dyshimin se zgjedhjet do të jenë të ndershme. Kryetari i VMRO-së Nikola Gruesvki pat deklaruar se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike. Ai pat shtuar se ata të cilët dëshirojnë të prishin punë në këtë përcaktim do të ndëshkohen nga institucionet e sistemit. Edhe të BDI-së patë presin zgjedhje të qeta e demokratike, por nuk e lanë pa e kritikuar ashpër PDSH-në për zgjedhjet e vitit 2008 të cilat I cilësuan si zgjedhje të përgjakshme. Rafiz Haliti pat thënë se partia e tij gjithmonë kur ka qenë në pushtet ka ditur t’i organizojë zgjedhjet dhe për këtë arsye ata presin që edhe këto zgjedhje të kalojnë pa incidente.

Fushata e zgjedhjeve zyrtarisht (natyrisht nëse mbahen, sepse pa marrë parasysh deklaratave të zëshme ka shumë shenja që flasin se zgjedhjet mund edhe të shtyhen për ndonjë afat tjetër). Megjithatë jozyrtarisht fushata po zhvillohet me intensitet të plotë. Tashmë kryetarin e VMRO-së e shohim çdo ditë nëpër vizita të ndryshme që u bën komunave dhe qytetarëve u flet për angazhimet programore të partisë së tij. Kuptohet partia ka plot oferta. Do të mundësojë investime të huaja me të cilat do të hapen vende të reja pune. Dhe, shumë e shumë punë të tjera. LSDM-ja mbahet më shumë te drejtësia dhe liria. Kjo parti është e preokupuar me angazhimin që do ta ketë me çrrënjosjen e korrupsionit dhe kriminalitetit të bërë nga ana e pushtetarëve.

Ajo që bie në sy në këtë fushatë ende të pashpallur është mungesa e ndershmërisë e cila është njëra postulatet e procesit zgjedhor. Në start shihet se nuk ka respekt për mendimin e palës tjetër,. Loja duket se nuk do t’u përmbahet rregullave që i kërkon një proces i rëndësishëm politik e kulturor, siç janë zgjedhjet. Në repertorin e deklaratave ka akuza të rënda për palën tjetër, ndonjëherë të argumentuara, ndonjëherë të paargumentuara, ka fyerje dhe kërcënime. Nga ky fjalor, nga ky elektrizim te votuesit përhapet vetëm frikë dhe pasiguri, ky fjalor në fakt i mbyll edhe më shumë shtigjet e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

I veçantë është komunikimi në këtë fushatë të pashpallur të partive shqiptare që kanë deputetë në parlament. Ai është një komunikim i pakuptimtë, një komunikim absurdi për shkak se rezultatet e punës së tyre nuk kanë dhënë fryte as në parlament, as në qeveri dhe në pushtet në përgjithësi. Për sa janë në skenën politike, nuk u dalluan me angazhime konkrete për ndryshimin e pozitës ekonomike të shqiptarëve, nuk bënë thuajse asgjë për problemet kulturore të shqiptarëve. Veçmas është i dhembshëm problemi i programeve shkollore në shkollat fillore dhe të mesme. Gjithë ato fyerja janë nëpër tekstet shkollore për shqiptarët, gjithë ai injorim (thuajse nuk ekzistojmë ne fare këtu), pastaj mohimi dhe përbuzja e historisë dhe gjuhës shqipe etj. etj.

Për njëzet vjet e ndoshta edhe më shumë nuk ia dolën ta lëvizin një gur nga kjo kështjellë urrejtjeje institucionale të ndërtuar mbi supet e krenarisë shqiptare. Është dëgjuar vetëm zëri i mediave, si zë që tërheq vërejtjen se punët nuk ecin për së mbari në fushën e realizimit të marrëveshjes së Ohrit dhe të Kushtetutës së këtij vendi. Aq. Faktori politik shqiptar vazhdimisht e anashkaloi mbrojtjen e krenarisë sonë, mbrojtjen e identitetit tonë. U dhanë pas mbrojtjes së emrit të vendit në ndërmohimin që ka shteti me Greqinë, u dhanë pas integrimit të vendit në strukturat evro-atlantike. Madje edhe deklaruan haptazi se e kanë lënë çështjen e gjuhës shqipe për kohë më të mira ta zgjidhin sepse i paskan përveshur krahët që Maqedoninë ta shtinë në shoqërinë e madhe të BE-së dhe NATO-s.

Fatkeqësisht për ta, shumica e qytetarëve të përkatësisë kombëtare shqiptare e dinë se partitë tona nuk u bënë ndonjë faktor ndikimi për këto çështje. Kështu përpjekjet verbale për integrime mbeten si një blof i thjeshtë.

Në fund, protesta kundër kryqit në Butel ishte për keqardhje, sepse të gjithë njerëzit e thjeshtë shtruan disa pyetje, po ashtu të thjeshta: kundër kujt protestojnë këta njerëz? A janë këta në pushtet apo në opozitë? Nëse janë në pushtet e atje s’i merr kush në dorë, pse atëherë nuk japin dorëheqje në shenjë proteste?

Dhe, me të vërtetë…

Njerëzit tonë e dinë se nga partitë e bllokut maqedonas nuk mund të presin ndonjë ndihmë të hairit për përmirësimin e pozitës së tyre në këtë shoqëri. Për fat të keq këtë besim e kanë humbur edhe te partitë shqiptare që kanë vepruar deri më tash në skenën politike. Janë lodhur ,më njerëzit nga primitivizmi e fyerjet ndërpartiake. Por edhe nga diktatet nga ministrat e përjetshëm dhe funksionarët e lartë partiakë, po ashtu, të përjetshëm.

Qytetarët presin ndryshime.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button