DPHM: Më shumë shi në Tetovë, nesër stabilizim i përkohshëm

Më shumë shi ka rënë në Tetovë 21 litër në një metër katror, kumtoi Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike në raportin deri në orën 16:00…

Në Mavrovë kanë reshur 20 litra, 16 litra në Pozharane dhe Shkup, 13 në Ohër, 12 në Lazaropole, nëntë në Pretor, katër në Manastir dhe Topolçan dhe dy litra në Prilep. Në Lazaropolë është matur shtresë e borës prej tre centimetra.

Temperatura më e lartë (20 gradë) është matur në Gjevgjeli, 19 në Demir Kapi dhe Strumicë,18 në Shtip dhe Vinicë, 17 në Kriva Pallankë, Manastir dhe Shkup, 16 në Prilep, Pretor, Berovë dhe Topolçan, 15 në Ohër, 13 në Gjurishte, 11 në Pozharane, Lazaropole, 10 në Mavrovë dhe 9 gradë në Pozhar, Tetovë.

Reshjet e shiut të cilat fillimisht filluan në pjesët e skajshme perëndimore janë zgjeruar në tërë pjesën perëndimore të vendit dhe ka paraqitje të bubullimave. Gjatë ditës ka fryrë edhe erë e kohëpaskohshme e përforcuar jugore deri në juglindore, e cila në rajonin e Shtipit ka arritur edhe mbi 80 kilometra në orë. Erë të përforcuar gjithashtu kishte në rajonin e Pellagonisë dhe në luginën e Shkupit, informojnë nga DPHM-ja.

Deri në fund të ditës do të jetë mot me vranësira të ndryshueshme me reshje të shiut të cilat do të zhvendosen ndaj lindjes dhe ku sërish do të jenë më intensive. Do të zhvendoset edhe era e përforcuar jugore e cila në pjesën e dytë të natës do të qetësohet.

DPHM për nesër paralajmëroi mot me vranësira të ndryshueshme me periudha më të gjata të diellit. Era do të jetë e dobët dhe pasdite do të kalojë ndaj pjesës veriperëndimore.

Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 8 gradë, ndërsa ato të ditës prej 12 deri në 19 gradë Celsius.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button