Përmbytje në Kosovë, gjendje e jashtëzakonshme në Pejë

Moti i keq me reshje të mëdha të shiut i cili e ka kapluar Kosovën në orët e mëngjesit, ka shkaktuar përmbytje në qytetin e Pejës, raporton Anadolu Agency (AA).

Komuna e Pejës në faqen e saj zyrtare menjëherë ka alarmuar qytetarët dhe ka lajmëruar se qyteti ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme për shkak të të reshurave të mëdha, ndaj kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, urgjentisht ka themeluar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës së krijuar dhe ka ndërprerë mësimin në të gjitha shkollat e qytetit.

“Komuna ka angazhuar të gjitha mjetet që ka në dispozicion dhe kapacitetet njerëzore që të angazhohen për t’iu dal në ndihmë qytetarëve. Gjendja në rrugët e qytetit dhe në disa lagje është e rëndë, komunikimi është i vështirësuar për shkak të vërshimeve. Të reshurat janë aq të mëdha sa që infrastruktura ekzistuese për shkarkimin e ujërave të reshjeve nuk po e përballon këtë situatë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Pejës e cila ftuar qytetarët që të kontribuojnë në evitimin e mundur të dëmeve në njerëz dhe mallra.

Ndërkohë, Anadolu Agency ka kontaktuar me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Komunës së pejës, Engelbert Zefaj i cili deklaroi se situata në qytet është stabilizuar dhe ujërat e lumenjve që rrezikonin përmbytje të mëdha, janë kthyer në shtretër dhe kanale.

“Situata në qytet është stabilizuar dhe ujërat e lumit dhe përrenjve nëpër kanalet e qytetit janë kthyer në kanalet e veta. Fillimisht, situata ishte kritike por fal angazhimit të Komunës dhe qytetarëve, si dhe zvogëlimit të intensitetit të reshjeve të shiut, situata është vendosur nën kontroll. Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, por dëmet nuk janë të mëdha sa kanë mundur dhe është rrezikuar të jenë. Kryesore është që dëme në njerëz dhe dëme më të mëdha nuk ka pasur”, deklaroi drejtori Zefaj për AA, gjë e cila shihet edhe në fotografit e gjendjes me rastin e daljes së ujërave nga shtrati dhe pas stabilizimit të situatës rreth orës 14.

Përndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Republikës së Kosovës për sot kanë paralajmëruar reshje të mëdha në Kosovë duke alarmuar komunat në pjesët e ndryshme të Kosovës që të jenë në gjendje të gadishmërisë.

“Vërshimet mund të shkaktojnë vështirësi të përkohshme qarkullimi dhe dëme materiale. Lusim qytetarët që të kufizojnë lëvizjet gjatë këtyre reshjeve dhe të përshtatin shpejtësinë në komunikacion”, thuhet në paralajmërimin e IHMK-së.

Ndër komunat e rrezikuara është paraparë të jetë edhe kryeqyteti, Prishtina, sidomos në orët e pasdites dhe të mbrëmjes kur pritet të intensifikohen reshjet e shiut.

“Komuna e Prishtinës është në gjendje gadishmërie me ekipet e veta dhe për çdo problem do të jetë në gjendje t’u dalë në ndihmë qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Komuna e Prishtinës e cila ka dhënë edhe numrat emergjent, 0800 122 33 dhe 0800 122 44, ku thirrjet janë falas nga të gjithë operatorët e telefonisë fikse dhe asaj celulare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button