Ymeri për 7 Mars: Do e rikthejmë mësuesin në piedestal

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes,Visar Ymeri, ka uruar të gjithë arsimtarët për nder të festës së 7 Marsit.

Ai urimin e ka bërë në rrjetin social Facebook përmes një postimi në llogarinë e tij.

“Sot për 7 mars edhe unë gjej rastin të uroj gjithë arsimtarët e shkollimit shqip, dhe të përkujtoj me përzemërsi edhe përvojat personale me mësuesit e mi. Është dita në të cilën falënderoj edhe mësuesit e fëmijëve të mi për përkushtimin dhe sakrificën.

Por sot është tepër e rëndësishme të flasim edhe për mësuesit e të ardhmes, apo të ardhmen e shkollës shqip,” ka thënë Ymeri, njofton Klan Kosova.

Ymeri  më tej ka bërë një paralele të një shkollimi adekuat dhe atij jo të mirë.  Shkollën e tanishme ai e ndërlidh me tenderët korruptiv, emërimet partiake  dhe tekstet e dobëta, ndërsa premton rikthimin e mësuesit në piedestal.

“Shkolla është e lidhur me shtetin ngushtësisht, dhe me vlerat që dëshiron ky i fundit të përhapë në shoqëri. Përmes shkatërrimit të arsimit, përhapjes së emërimeve partiake e nepotike nëpër shkolla, përmes teksteve të dobëta të komisionuara me tenderë korruptivë, sot shkolla po funksionon shpesh si aparat i shpërndarjes së injorancës.”

“Në këndvështrimin tonë shkolla është guri i themelit për publiken e për kombëtaren. Kjo vlerë do ta rikthejë mësuesin në piedestal.

Në këndvështrimin e tyre shkolla është prodhuese letrash pa vlerë, në kuadër të individualizmit ekstrem si vlerë e promovuar. Kjo e bën mësuesin një shitës të thjeshtë.”

“Ju ftoj të mendoni, cili do të duhej të ishte mësuesi i së ardhmes,” ka përfunduar Ymeri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button