Plot 260 ditë në vit tetovarët thithin ajër të ndotur

Nga viti 2009 e këtej, Tetova dhe fshatrat për rreth po thithin ajër të ndotur, që është shumë më i lartë së sa kufiri i lejuar të PM grimcave. Nga gjithsejtë 365 ditë të vitit, ajri i ndotur në Tetovë është prezentë plot 260 ditë. Analizën e titulluar “Politikat për uljen e ajrit të ndotur në Tetovë” tregon se vetëm “Jugohrom” brenda një viti lëshon 12 mijë tonë pluhur, njofton KOHA.

Një kohë të gjatë Maqedonia po ballafaqohet me probleme të mëdha që kanë të bëjnë me ndotjen e ambientit jetësor, gjegjësisht ajrit i cili vjen si pasojë e faktorëve të ndryshëm, ndërsa Maqedonia renditet në listën e vendeve të varura nga fosilet energjetike, që do të thotë se 80 për qind e energjisë fitohet nga qymyri dhe nafta Nga gjithsej 365 ditë të vitit, ajri i ndotur në Tetovë është prezentë plotë 260 ditë.

“E gjithë kjo situatë alarmante me ndotjen e ajrit, për ekspertët nga fusha e ambientit jetësor, ngrit çështjen se kush është ndotësi më i madh i ajrit në Tetovë dhe sa PM grimca ndikojnë mbi shëndetin e njeriut”, thuhet në analizën “Politikat për uljen e ajrit të ndotur në Tetovë”, përgatitur nga Shoqata për zhvillim dhe aktivizim “AKVA” nga Struga dhe shoqata “IKT për ndryshime” nga Tetova, në kuadër të projektit FISCAST, realizuar nga “Finance Think” dhe përkrahur nga Ambasada Britanike në Shkup. Sipas ekspertëve, kjo analizë ka për qëllim t’i hulumtojë skenarët e mundshëm për zgjidhjen e problemit të ajrit të ndotur në qytetin e Tetovës, i cili në masë të madhe vjen si rezultat i lëshimit të materieve të dëmshme nga fabrika “Jugohrom”.

“Informatat për përgatitjen e kësaj analize janë grumbulluar në bazë të të dhënave relevante të institucioneve të ndryshme shtetërore dhe përmes intervistave të zhvilluar me ekspertë nga fusha e ambientit jetësor. Gjithashtu, janë bërë dhe matje të reja për ndotjen e ajrit në Tetovë, janë grumbulluar informata nga ndotësi i ajrit, të dhëna nga institucionet relevante siç janë ministritë dhe institucionet publike, si dhe është shfrytëzuar metodologjia ekzistuese për llogaritjen e efekteve të dëmshme për shëndetin njeriut”, thuhet në këtë analizë.

Rritje të PM grimcave të forta në ajër në Tetovë, sipas autorëve të kësaj analize, nga sa është e lejuar deri më 50 PM në ditë, në vazhdimësi kemi nga viti 2011, duke arritur kështu nivelin e ajrit të ndotur disa herë më të lartë se sa është e lejuar me ligj. “Është më se e qarte se ndotësi më i madh i ajrit në Tetovë është fabrika ‘Jugohrom’, e cila brenda një viti lëshon 12 mijë tonë pluhur. Ky pluhur, së bashku me materiet e tjera toksike, të cilat gjithashtu emetohen në ajër, janë arsyet kryesore për numër të madh të sëmundjeve respiratore në Tetovë dhe vendbanimeve përreth, ndërsa dukshëm kanë përkeqësuar shëndetin e njerëzve që kanë problem me mushkëritë”, thuhet në këtë analizë. Zgjidhja e vetme që tetovarët të mos kenë pasoja të rënda shëndetësore, sipas ekspertëve-autorë të analizës, është vendosja e filtrave në oxhaqet e fabrikës “Jugohrom”, të cilat dukshëm do të ulnin nivelin e lëshimit të pluhurit dhe materieve toksike mbi qytetin e Tetovës.

“Me vendosjen e filtrave, në radhë të parë, benefite do të kishin banorët e Tetovës, sepse do të ulnin shpenzimet për mjekimin e sëmundjeve respiratore duke e zgjatur kështu jetën e tyre dhe do të kishim më pak vdekje të tetovarëve që vijnë si rezultat i thithjes së ajrit të ndotur që lëshohet nga oxhaqet e fabrikës ‘Jugohrom'”, thuhet mes tjerash në këtë analizë.

Sipas Organizatës Shëndetësore Botërore, çmimi i jetës së njeriut – gjegjësisht aktiviteti ekonomik i një njeriu gjatë gjithë jetës së tij në Maqedoni ka koston 1.260.000 dollarë ose 69.369.000 denarë. “Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, mosha mesatare e jetës në Maqedoni është 75 vite, ndërsa mesatarja e viteve që njerëzit vdesin nga sëmundjen malinje si rezultat i ndotjes së ajrit, është 65 vjet. Nëse u referohemi këtyre të dhënave të ESHS-së, atëherë në vendet lindore të rajonit të Mediteranit, ku bënë pjesë dhe Maqedonia, në 100.000 persona – 42 prej tyre vdesin nga ndotja e ajrit”, thuhet në analizën “Politikat për uljen e ajrit të ndotur në Tetovë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button