LR-PDSH: 7 Marsi jo ditë feste, por reflektim për vështirësitë e arsimit shqip në Maqedoni!

“Sot, gjendja e përgjithshme e arsimit shqip në Maqedoni, në shikim të parë, duket paksa e këndellur. Megjithatë, po të futemi në brendi të çështjes, problemet janë të shumta, bile më shqetësuese se sa në kohën e komunizmit”, shkruhet në kumtesën e LR-PDSH-së.

Siç thonë ata, e shumëpërfolura çështje në lidhje me tekstet shkollore absurde, ofenduese, fyese, nënçmuese, dhe çka jo tjetër në adresë të shqiptarëve në përgjithësi dhe atyre të Maqedonisë në veçanti vite me radhë mbeti e pa zgjidhur, për të cilën askush deri më sot nuk dha përgjegjësi.

“Tani më kanë shkuar aq larg sa që kanë ngatërruar edhe kryqin me gjysmë hënën, sepse nga tekste të përdhosura me përmbajtje klerikale, nxënësve shqiptarë të përkatësisë fetare Islame, ju imponohen dhe ju preferohen mësime Biblike. Këto tekste të hartuara nga profesorë politik, propagandojnë fenë krishtere dhe besimin në Bibël, duke diskriminuar kështu religjionet tjera, përfshirë këtu edhe fenë Islame”, shtojnë nga LR-PDSH.

Sipas LR-PDSH-së, furnizimi apo mosfurnizimi i nxënësve me libra falas  është një tjetër projekt kryekëput i dështuar, sepse po të merrni e t’i shihni më për së afërmi ata libra që fëmijët tanë i “trashëgojnë” nga paraardhësit e tyre, do të mendoni se të njëjtët janë nxjerrë prej ndonjë arkivi letrash mesjetare.

Ata gjithashtu shtojnë se Kompjuterizimi i shkollave dhe “arsimimi” i mësuesve në lëmin e teknologjisë informatike nuk korrespondojnë me realitetin, sepse nxënësit dhe mësuesit bashkë, në shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe, akoma po veprojnë brenda objekteve shkollore të ndërtuara pas Luftës II Botërore, në të cilat mungojnë kushtet elementare për jetë dhe punë, duke nisur nga pastërtia e deri te qëndrueshmëria fizike e tyre.

“Shkollat shqipe, vazhdojnë të kenë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm dhe elektricitet, me lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit, me infrastrukturë rrugore, e cila të shpie deri në shkollë, ndërsa pushtetarët flasin për kompjuterizim, digjitalizim, shoqëri informatike, etj. Me aplikimin amatoresk të testimi intern/ekstern, qeveritarët duke u munduar të “shpikin ujin e nxehtë”, e degraduan mësuesin, i cili detyrohet të merret me punë letrash anembanë – nëpër zyra, në shtëpi, në klasë, kudo. U dëmtuan edhe vetë nxënësit sepse nota e tyre mesatare u deformua nga ajo e testimit ekstern dhe tani e njëjta figuron në dëftesat e tyre. Kështu, pa asnjë faj, me një test të vetëm, fund e krye të përdhosur në vetvete, nxënësit do të duhet t’i vuajnë pasojat e tij gjatë shkollimit të tyre të mëtejshëm”, thuhet në kumtesën e LR-PDSH-së.

Sipas tyre “lojërat” politike të pushtetit VMRO-BDI, që janë duke u bërë me Universitetin (Shtetëror) e Tetovës, kanë për qëllim që të dëmtojnë arsimimin e lartë të shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare dhe degradimin e këtij institucioni të lartë arsimor akoma më tepër, që serish për këtë gjendje fajin ta bartin vetë shqiptarët.

“Hapje-mbylljet hë për hë të universiteteve plotësuese dhe programeve të caktuara studimore në relacionin Shkup-Tetovë dhe partizimi permanent të arsimit, janë pasqyrë e kalkulimeve partiake të VMRO-BDI-së, për të punësuar “njerëzit e tyre” për qëllime dhe përfitime politike, e jo për të mirën e qytetarëve në këtë vend. A ka dikush që mban përgjegjësi për gjithë këto dëme që i bëhen arsimit shqip në Maqedoni? Të nderuar mësues, urime 7 Marsin, duke Ju dëshiruar shëndet dhe suksese të reja!”, përfundojnë nga LR-PDSH.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button