Reforma në drejtësi, Komisioni vendos sot

Komisioni i posaçëm i Reformës në Drejtësi vendos sot procedurat që do të ndiqen për të përfshirë në draftin final të ndryshimeve kushtetuese të gjitha rekomandimet e ardhura nga Komisioni i Venecias.

Do të jetë mbledhja e këtij komisioni e cila do të vendosë nëse debati do të mbetet në dorën e ekspertëve ashtu siç ka sugjeruar vazhdimisht Paria Socialiste, apo do të jetë tryeza politike që do të vendosë mbi sugjerimet e Venecias. Mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën në drejtësi e cila pritet të jetë pasditen e sotme, do të parapritet nga një takim i Forumit Civili ku do të jetë i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Në këtë tryezë Forumi Civil do të paraqesë dhe draftin e tij mbi reformën në sistemin e drejtësisë. Të gjitha këto diskutime do të duhet të vendosin për disa nga çështjet më të nxehta të prekura edhe në rekomandimet finale të Komisionit të Venecias siç është votimi i anëtarëve të institucioneve të reja në gjyqësor dhe në prokurori. Shumica dhe opozita ka qenë e ndarë nëse duhen 3/5 apo 2/3 për të zgjedhur drejtuesit e lartë të institucioneve të drejtësisë, ndarje kjo që pritet të debatohet gjatë sot, pasi edhe Venecia nuk ka dhënë një rekomandim final duke e lënë në dorë të politikës. Por ndërkohë ekspertët e Komisionit të Venecias mbështesin qëndrimin në detyrë, deri të fund të mandatit, të kryeprokurorit.

“Nëse prokurori i Përgjithshëm kalon procesin e vetingut (kontrollit të figurës) dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve, te të cilët aplikohet vetingu. Në të tilla kushte, Komisioni Venecias nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”, thekson “Venecia”. Komisioni kërkon gjithashtu që të bëhet kujdes me procesin e vetingut (pastërtisë së figurës) edhe për gjykatësit dhe prokurorët.

“Komisioni Special i Kualifikimit dhe gjykatësit e Këshillit Special të Kualifikimit janë përgjegjës për procesin e vetingut, që do të jetë 9 vjet pa të drejtë ribërje. Ndërsa i gjithë procesi i vetingut supozohet të zgjasë 11 vjet apo më pak, nëse Shqipëria do t’i bashkohet BE-së në një datë të mëhershme. Kjo kohështrirje është e gjatë. Komisioni e pranon nevojën e vetingut, por me kushtin se duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe në mënyrë strikte, masë kjo e përkohshme. Reduktimi ose jo i kompetencave të ministrit të Drejtësisë është një tjetër çështje që ka shqetësuar ekspertët e nivelit të lartë dhe ata të opozitës, gjatë takimeve për rakordimet mbi draftin që do t’i dërgohej Komisionit të Venecias. Por duket se as vetë Komisioni i Venecias, në draftin e tij përfundimtar, nuk ka dhënë një zgjidhje konkrete.

Ekspertët kërkojnë sqarime të mëtejshme për rolin e ministrit të Drejtësisë në raport me Inspektorin e Përgjithshëm, si edhe rolin e tij në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Ekspertët nënvizojnë se duhet të sqarohet se kush do të iniciojë inspektimet dhe procedimet për gjyqtarët dhe prokurorët. “Roli i ministrit të Drejtësisë në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor duhet të rishikohet, në mënyrë që të shmangë konfliktin e mundshëm të interesit. Rregullimet duhet të rishqyrtohen për të hequr konfliktin e mundshëm të interesit”. Ndër të tjera theksohet se “ministri nuk duhet të ketë karrige në gjykatën disiplinore”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button