Jasharët, pjesë e veçantë e historisë së Kosovës

Krerët e shtetit nderuan ikonën e luftës së UÇK në Prekaz, ndërsa vlerësuan se familja Jashari jetësoi ëndrrën për Kosovën shtet të lirë e të pavarur, se Prekazi është vendi ku për çdo ditë duhet të mendohet se çfarë duhet bërë më shumë për shtetin. Homazhe bënë edhe kryetarë të komunave, FSK-ja, shoqatat e dala nga lufta e shumë qytetarë

Krerët e shtetit, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe kryparlamentari Kadri Veseli, në ditën e dytë të “Epopesë së UÇK-së” kanë nderuar komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe familjen e tij në Prekaz.

Presidentja në shkuarje, Atifete Jahjaga, dhe kryeparlamentari Kadri Veseli kanë gjetur kohë që ta vizitojnë edhe familjen e ikonës së luftës së UÇK-së, ndërkohë kryeministri Mustafa, i cili shoqërohej nga një pjesë e kabinetit të tij, nuk ka kthyer fare në kullë.

Për presidenten Jahjaga, kjo është vizita e fundit në cilësinë e presidentes që viziton Prekazin. Ajo sa herë që ka ardhur në Prekaz si presidente, në shënim të datave historike, përveç në një rast, asnjëherë tjetër nuk ka kthyer në kullën e Jasharëve.

Krerët e shtetit kanë vlerësuar se vepra e familjes Jashari mbetet pjesë e veçantë e historisë së Kosovës, se familja Jashari jetësoi ëndrrën për Kosovën shtet të lirë e të pavarur dhe se Prekazi është vendi ku për çdo ditë duhet të mendohet se çfarë duhet bërë më shumë për shtetin.

“Pata nderin ta vizitoj familjen Jashari, në këtë ditë plot dhembje për ta, por edhe për gjithë Kosovën, në këtë 18-vjetor të rënies heroike të 53 pjesëtarëve të kësaj familjeje dhe të kësaj lagjeje, pata nderin ta takoj Rifat Jasharin dhe anëtarët e tjerë të familjes, të bisedoj me bacën Rifat, ta rikujtojmë sakrificën e madhe që ka bërë kjo familje, por edhe shumë familje të tjera anembanë Kosovës për të jetësuar ëndrrën tonë të përjetshme, ëndrrën tonë historike për ta bërë Kosovën shtet të lirë, shtet të pavarur, në këto varre këtu afër janë moshatarët tanë, gjenerata të ndryshme të kësaj familjeje dhe këtu është dhënë jeta për liri dhe këtë nuk duhet ta harrojmë”, tha presidentja në shkuarje, Atifete Jahjaga. Ajo shtoi se sa herë që vjen në Prekaz gjithmonë emocionohet, sepse ia rikujton çmimin e madh që kemi dhënë si popull dhe si shtet, si dhe, siç tha ajo, “borxhin që ua kemi të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë, për pavarësinë tonë që ta ndërtojmë një Kosovë të mirëfilltë, një Kosovë të të gjithë qytetarëve të saj dhe një Kosovë me perspektivë të qartë euroatlantike”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button