Veza dhe etika e punës

Ditë fundjave dhe bisedë shoqëruar me kafe me një ish-kurbetqar zvicre, i brumosur me një kulturë tjetërfare, të avancuar në aspekt të shumë vlerave që synojmë t’i arrijmë, por që për fat të keq s’ia dalim akoma. Ra fjala për kulturën tonë të punës, syrin e punëdhënësit, shefit, drejtorit dhe zikzaket që bëjnë punëtorët këtu tek ne porsa të vërejnë se nuk i sheh askush, antikulturë kjo që dëmton edhe entitetin/institucionin por edhe vetë individin, që sjell satisfaksion të çastit me vetëmashtrimin, kurse më vonë, krizë, falimentim, fundosje të përbashkët. Dhe, ndërkohë tregohet për fasadat e një lagjeje në Shkup të varura në ajër, për shkak të cilësisë së ulët të materialit dhe mosprofesionalizmit në punë. Puna, kursimi dhe ndershmëria, këto janë tre vlerat që Max Weberi i ndërlidh me frymën protestante dhe me kapitalizmin. Ku jemi ne në këtë aspekt? Dhe vazhdon shqiptaro-zvcerani: Punonim nja tridhjetë kilometra afër Davosit të famshëm, në një kompani që merrej me çështje të elektrikës dhe ishim kah gërryenim një kanal për të shtruar kabllo nëntokësorë. Njëri nga punëtorët gjithë kohës bënte hile duke hedhur një kazmë e duke marrë frymë, duke punuar në “slow motion”, duke mashtruar të tjerët por edhe veten, duke pushuar sa s’bën, duke soditur qiellin e kaltër mbi ne por duke mos menduar hiç për “ligjin moral në ne” (Kanti). Në afërsi të vendit ku punohej kanali, një ndërtesë, brenda vetëm pensionistët. Natyrisht, etika e punës kërkon identifikimin e kryerësit të punimeve, të kompanisë: logoja e firmës, me të dhënat, adresa dhe numri i e telefonit. Një plakë që nga terraca vëren “tradhtinë” dhe (vetë)mashtrimin e njërit nga punëtorët, bëhet nevrike pse s’ia jep hakun punës, e kaplon psikologjia e tmerrimit nga një i ri që s’e bën atë që duhet në detyrë dhe kthehet në kuzhinë ku merr një vezë, e vë në nishan “tradhtarin”, gjuan dhe e godet përtac-punëtorin ballkanas në kokë. Flokët ia bën verdh, fytyrën ia turpëron para kolegëve dhe para shefit. Më pas kthehet në dhomë, e merr telefonin dhe bën zile te firma dhe e informon përgjegjësin e kompanisë se ishte ajo që kishte gjuajtur me vezë dhe e tregon arsyen pse e kishte bërë një gjë të tillë. Sepse s’kishte mundur ta kapërdijë dembelizmin, tradhtinë ndaj detyrës, shkeljen mbi ndërgjegjen dhe përgjegjësinë. Për çfarë flet ky shembull? Flet për etikën publike, flet për një shoqëri që punën e ka totem, ku edhe ata që për nga mosha duhet të jenë pasivë, janë aktivë në mënyrë të tërthortë, i kontribuojnë shoqërisë duke denoncuar mikrobët, papunshit, “tradhtarët e kolektivit”, ngrënësit e kafshatës së pamerituar, shprehur me terminologjinë fetare, ngrënësit e haramit. Një vezë në kokë, një vërejtje nga veranda, një akt vetëdijësues. Etika e plakës buron nga një paradigmë fetare, etika protestante, që punën e sheh si madhërim të Zotit nëse kryhet me nder, përkushtin dhe përpjekje maksimale.

Ja ky është një refleksion nga denominatori social i quajtur etikë e punës që nënkupton tërësi të qëndrimeve dhe sjelljeve të bazuara në vlerën e punës, në pikëpamjen e individit që është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm ndaj punës, ndaj shprehive të punës, se puna vetvetiu është e mirë dhe e dobishme për zhvillimin e individit dhe të shoqërisë. Etika e punës ka të bëjë me një qëndrim pozitiv, realizim të zellshëm dhe vlerësim të mundit dhe përfshin edhe vetëiniciativën dhe llogaridhënien. Ç’të themi për realitetin tonë? Ç’fjalë mund të shprehen për politikanë që kurrë nuk shkelin në parlament e marrin rrogë, për mësimdhënës që brenda vitit s’lexojnë asnjë libër, për të rinj që pjesën dërrmuese të ditës e kalojnë nëpër kafene, për punëtorë që bëjnë gjumë në mes të ditës, për nëpunës që në kohë të punës aktivitet e kanë internetin (facebookun)…? Ora et labora. Puno dhe lutu – thotë një thënie latine. Sa të shumtë i kemi ata që as punojnë e as luten. Vetëm pushojnë. Sikur janë edukuar me Dekameronin malazez.

Të gjitha ligjërimet etike na mësojnë se në punë duhet pasur qëllim të ndershëm dhe mjet të pastër për të arritur deri te ai. Feja e mëson njeriun se Zoti është i kënaqur me njeriun që kur e kryen një punë, e kryen atë në mënyrën më të mirë, në mënyrën më të plotë, synon ta perfeksionojë atë (Bejheki)! Sa mundohemi që të përmirësohemi e të përsosemi në profesionet tona? Sa e sotmja jonë i përngjan të djeshmes? A kemi dy ditë të njëjta apo më tepër? A kemi agjenda ditore, javore, skeda mujore, hartë vjetore të punës? A ia japim hakun vendit të punës? Këto janë disa pyetje që kanë të bëjnë me binomin punë-etikë që duhet t’i kemi parasysh nëse duam të ecim përpara. Përndryshe do vazhdojmë me stilin: “O Mete secili për vete!”, “Te rafsha mos u vrafsha”, “O shok ti s’mund ta drejtosh këtë dynja!”, “Po të gjithë mor bëjnë kështu!” Prej këtej dalin dy pyetje tjera: Po plaka zvicerane a s’mund të bënte sehir? Ç’iu desh asaj veza, ndërhyrja dhe telashet potenciale po ta vërente punëtori se kush gjuajti? Mendësia shqiptare do t’i kishte thënë: “S’i drejojmë dot brirët e dashit!” Përkundër të gjithave, ajo s’ndejti mënjanë, indolente. Tregoi se ende është gjallë, se është qytetare e vërtetë dhe se megjithatë, përkundër moshës, mund ende t’i kontribuonte të mirës së përgjithshme (summum bonum – Aristoteli). Veza e bëri atë ta shfaqte me një veprim simbolik ndjesinë që kishte në shpirt: mosdurimin ndaj hileqarit dhe kërkesën për korrektësi dhe drejtësi në punë. Sa guximtarë jemi ne, të gjitha grupmoshat, për ndërhyrje dhe aksionerizëm social për përmirësim të realitetit social, për kontribut ndaj të mirës së përgjithsme? Dhe në fund: Të gjithë mësimdhënësve dhe punëtorëve të ndërgjegjshëm të arsimit, urime 7 marsi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button